Vdes çetniku serb Slavko Aleksiq, simbol i rrethimit famëkeq të Sarajevës

14:26 | 18 Dhjetor 2025
Vdes çetniku serb Slavko Aleksiq, simbol i rrethimit famëkeq të Sarajevës

Slavko Aleksiq, vojvoda famëkeq çetnik dhe komandant i formacionit paramilitar “Çeta çetnike e Novo Sarajevës”, ka vdekur këtë mëngjes në Trebinje të Bosnjë e Hercegovinës, raporton N1 në Sarajevë.

Aleksiq, siç kujton N1, është një nga personat më kontroversë dhe më famëkeq që lidhen me luftën në Bosnjë e Hercegovinë dhe rrethimin shumëvjeçar të Sarajevës.

Emri i Aleksiqit në opinionin publik të Bosnjë e Hercegovinës ka mbetur i lidhur përgjithmonë me periudhën e rrethimit të kryeqytetit boshnjak, ku kujtohet si simbol i terrorit snajperist dhe ushtarak ndaj popullsisë civile. Bëhet fjalë për një person, veprimtaria e të cilit konsiderohet si një nga kapitujt më të diskutueshëm dhe më të errët të historisë bashkëkohore të Sarajevës dhe të shtetit të BeH.

I lindur në vendbanimin Bogdashiqi në vitin 1956, Aleksiq pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Sarajevë, ku punoi dhe studioi për drejtësi. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë ai u përfshi aktivisht në struktura nacionaliste, ndërsa në vitin 1990 ishte ndër personat që morën pjesë në ringjalljen e lëvizjes çetnike në Sarajevë. Po atë vit u bë anëtar i Partisë Radikale Serbe.

Pas vrasjes së krushkut të vjetër përpara Kishës së Vjetër Ortodokse në Bashçarshija, më 1 mars 1992, Aleksiq merr rolin e komandantit të “Çetës çetnike të Novo Sarajevës”, selia e së cilës ishte në Grbavicë. Gjatë luftës ai veproi në kuadër të forcave që morën pjesë në rrethimin e Sarajevës dhe lidhet veçanërisht me vijat e demarkacionit në zonën e Grbavicës dhe të Varrezave Hebraike, një nga pikat më të rënda dhe më të përgjakshme të përplasjes midis ushtrisë së Republika Srpskas dhe ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës.

Asnjëherë nuk u dënua

Formacionet nën komandën e Aleksiqit ishin të pranishme në pozicionet nga të cilat qyteti ishte i ekspozuar ndaj zjarrit të vazhdueshëm, ndërsa dëshmi të shumta të civilëve dhe pohime nga raporte të ndryshme i lidhnin njësitë e tij me sulme ndaj popullsisë civile dhe përhapjen e frikës ndër banorët e Sarajevës gjatë rrethimit shumëvjeçar. Edhe pse emri dhe veprimtaria e tij shpesh lidhen me shkelje të rënda të së drejtës së luftës, Slavko Aleksiq asnjëherë nuk u procedua përfundimisht para gjykatave vendore apo ndërkombëtare.

Gjatë luftës ai u plagos disa herë dhe, krahas njësive vendore, komandoi edhe një detashment vullnetarësh rusë në zonën e atëhershme të “Sarajevës Serbe”.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, në mars të vitit 1996 ai udhëhoqi tërheqjen e forcave serbe dhe të një pjese të popullsisë nga Grbavica, si dhe mori pjesë në aktet simbolike që atëherë shoqëruan largimin nga lagjet e Sarajevës.

Pas përfundimit të luftës, Aleksiq u tërhoq në Hercegovinën lindore, kryesisht në zonën rreth Bileqës, ku vazhdoi veprimtarinë politike dhe ideologjike përmes organizatave çetnike dhe ravnogorase. Ai merrte rregullisht pjesë në tubime me karakter radikal dhe revizionist, ku shpesh glorifikoheshin ngjarjet e luftës dhe roli i tij personal gjatë rrethimit të Sarajevës.

“Safari i Sarajevës” dhe vullnetari Aleksandar Vuçiq

Në vitet e fundit emri i tij u shfaq sërish në opinionin publik në kontekstin e hetimit të njohur si rasti “Safari i Sarajevës”, i cili po zhvillohet para institucioneve gjyqësore në Milano dhe lidhet me pretendime për veprimtari të organizuar snajperiste ndaj civilëve në Sarajevën e rrethuar.

Disa media rajonale e lidhnin këtë rast edhe me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në kohën e luftës ishte vullnetar pikërisht në njësinë e Aleksiqit.

Vuçiq u përgjigj ndaj akuzave duke thënë se “kurrë nuk ka pasur asnjë snajper, as pushkë” dhe se në Pale e kishin dërguar “ekskluzivisht si gazetar, sepse dinte anglisht”.

Rrethimi i Sarajevës

Vdekja e vojvodës çetnik Slavko Aleksiq ka rihapur çështjet e përgjegjësisë, krimeve të pandëshkuara dhe qëndrimit ndaj trashëgimisë së rrethimit të Sarajevës, një nga periudhat më të rënda në historinë e re të Bosnjë e Hercegovinës, thekson N1.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë, nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996, dhe konsiderohet rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë moderne, ndërsa snajperistët ishin një nga instrumentet kryesore të terrorit.

Gjatë gati katër vjetëve, qyteti ishte plotësisht i rrethuar nga forcat e ushtrisë së Republika Srpskas, i ekspozuar ndaj granatimeve të përditshme, zjarrit snajperist dhe terrorit sistematik ndaj popullsisë civile.

Sipas të dhënave të institucioneve relevante dhe qendrave kërkimore, gjatë rrethimit në Sarajevë u vranë më shumë se 11.500 civilë, ndër të cilët mbi 1.600 fëmijë. Dhjetëra mijëra qytetarë u plagosën, ndërsa e gjithë popullsia jetonte pa kushte elementare për jetë – pa ujë të rregullt, energji elektrike, ngrohje dhe lëvizje të sigurt. Veprimtaria snajperiste, veçanërisht në rrugët e frekuentuara të qytetit, ura dhe hyrjet drejt shkollave, tregjeve dhe spitaleve, u bë përditshmëri, për çka Sarajeva në opinionin ndërkombëtar u cilësua si qytet nën terror të vazhdueshëm.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në disa vendime ka konstatuar se rrethimi i Sarajevës përfaqësonte një fushatë të organizuar kundër popullsisë civile, me qëllim përhapjen e frikës dhe detyrimit, gjë që u kualifikua si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit.

Rrethimi ka lënë pasoja të thella demografike, psikologjike dhe urbanistike, ndërsa emri i Slavko Aleksiqit në diskursin publik në BeH lidhet pikërisht me këtë formë krimi lufte dhe në Sarajevë kujtohet si simbol i terrorit snajperist.

Komento: