Vdes mjekja e njohur kosovare

12:17 | 09 Korrik 2020

Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se ka ndërruar jetë Prof. dr. sci. Ahsene Agai (Luci).

Dr. Agai ishte mjeke, histologe, embriologe, doktoreshë e shkencave të mjekësisë, profesoreshë universitare, njëherazi themeluese e Institutit të Histologjisë dhe Embriologjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Njoftimi i plotë nga OMK:

Ndahet nga jeta Prof.dr.sci. Ahsene Agai (Luci)

Dr.Agai ishte mjeke, histologe, embriologe, doktoreshë e shkencave të mjekësisë, profesoreshë universitare. Themeluese e Institutit të Histologjisë dhe Embriologjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Lindi më 1940 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu qytetin e lindjes në Pejë. Fillimisht regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit, për ti vijuar pastaj studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup ku edhe u diplomua në vitin 1970. Pas diplomimit punësohet mjeke në Prishtinë dhe ishte ndër mjeket e rralla shqiptare jo vetëm në Prishtinë por edhe në Kosovë. Specializimin e kreu në Beograd. Dr. Ahsene Agai më 1972, zgjidhet asistente e lëndës Histologji me Embriologji në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Së bashku me profesorët nga Tirana Prof. Skender Çiçon dhe Prof. Bardhi Çako kanë merita të mëdha për ngritjen e lëndës së Histologjisë me Embriologji në gjuhën shqipe. Dr. Agai, tezën e disertacionit të doktoratës me titull: “Konstatimi citologjik i sputumit te personat që jetojnë në meset me shkallë të ndryshme të ndotjes së ajrit” e mbrojti në Universitetin e Prishtinë në vitin 1980, ku i arriti të gjitha thirrjet akademike prej asistentes e deri në profesor ordinar i lëndës Histologjia me Embriologji. Prof. Agai, ka merita të mëdha në ngritjen e Institutit të Histologjisë por edhe të kuadrit mjekësor, profesional dhe shkencor të këtij institucioni.

Profesoresha Ahsene, ishte doktoresha e parë e shkencave të Histologjisë dhe profesoresha e parë e Histologjisë kosovare, pedagoge e shquar dhe emër i ndritur i shkencave mjekësore të histologji embriologjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë e më gjerë. Për Kosovën, dhe mjekët që patën fatin t’ua mësojë artin e Histologjisë, do të jetë pjesë e kujtesës së pashlyeshme, si pedagoge e çmuar që ka dhënë mësim në Shkollën Mjekësore të Kosovës në karrierën e saj të bujshme prej vitit 1972 e deri në vitin 2006 kur ajo pensionohet.

Ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume dhe ka botuar një numër të konsiderueshëm të punimeve si autore dhe koautore.

Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të saj.

Komento: