Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, ka vdekur në moshën 84-vjeçare nga komplikimet të shkaktuara si pasojë e sëmundjes COVID-19, ka njoftuar familja e tij.
Powell, ka qenë ish-oficer i lartë ushtarak dhe i pari afrikano-amerikan që u emërua Sekretar i Shtetit.
Emërimi i tij ishte bërë në vitin 2000 kur president i SHBA-së ishte, George W Bush.
“Ne kemi humbur një burrë, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm dhe të dashur”, thuhet në deklaratën e familjes.
“Ne duam të falënderojmë stafin mjekësor për trajtimin e tyre të kujdesshëm”, shtoi deklarata.
Powell ka qenë një këshilltar ushtarak i besueshëm i një numri të madh të politikanëve kryesorë amerikanë.
Ai gjithashtu ka shërbyer në luftën e Vietnamit, një përvojë që më vonë e ndihmoi në përcaktimin e strategjive të tij ushtarake dhe politike.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se Powell ka qenë mishërim i “idealeve më të larta të luftëtarit dhe diplomatit”.
“Duke marrë pjesë në luftëra, ai e kuptoi më mirë se kushdo se vetëm fuqia ushtarake nuk ishte e mjaftueshme për të ruajtur paqen dhe prosperitetin tonë”, tha Biden.
Ish-presidenti, George Bush tha të hënën se ai dhe ish-zonja e parë Laura Bush ishin “shumë të trishtuar” nga vdekja e Powell.
“Ai ishte një zyrtar i mrekullueshëm publik” dhe “i respektuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit,” tha ish-presidenti Bush.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehu pikëllim për vdekjes e Powell.
“Ai ishte një burrështetas i madh, shërbyes i përkushtuar publik dhe përkrahës i popullit të Kosovës dhe shtetësisë sonë”, shkroi Osmani në një postim në rrjetin social Twitter.
Ish-Sekretari Powell në vitin 2008 doli kundër partisë së tij republikane duke mbështetur demokratin Barack Obama, i cili u bë i pari president afrikano-amerikan në historinë e vendit.in Powell