
Një 26-vjeçar ka humbur jetën të hënën në mëngjes në Prizren, pasi dyshohet se u godit nga një pjesë e pajisjes së punës derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi gjatë procesit të betonimit.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se viktima u dërgua pa shenja jete në ambulancën e lagjes Arbana, ndërsa vdekja e tij u konstatua në vendngjarje.
“Sot, më datë 22.06.2026, rreth orës 09:00, Policia ka pranuar informatën se në ambulancën e lagjes Arbana në Prizren është dërguar pa shenja jete një person mashkull, rreth 26 vjeç.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar si dhe Inspektorati i Punës. Në koordinim me ta, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, tha Bytyqi për Reporteri.net.