Muriqi s’po e mendon rikthimin në Turqi, është gjithnjë e më afër klubit të njohur.
Vedat Muriqi nuk e ka ndërmend të rikthehet në futbollin turk.
Edhe pse mediat e atjeshme e afruan me një rikthim të mundshëm në Fenerbahçe gjatë verës që vjen, sulmuesi kosovar duket se ka plane të tjera.
29 vjeçari po e gëzon një formë solide në La Liga duke i realizuar 10 gola dhe i ka bërë tri asistime në 23 ndeshje me Mallorcan.
Dhe, edhe pse ka kontratë afatgjate me ishullorët, përfaqësuesi kosovar ka mundësi të largohet prej aty pas përfundimit të këtij sezoni, pas një viti e gjysmë të kaluar aty.
Sipas mediave turke, “Pirati” mund ta ndërrojë klubin, por jo edhe ligën.
Në fakt, prizrenasi mund të transferohet në Sevilla, shkruan mediumi “Aksam”, përcjell Gazeta Express.
Gjithnjë sipas këtij mediumi, Sevilla pritet ta bëjë investimin më të madh në histori të klubit me Muriqin.
Edhe Mallorca, në këtë rast, do ta bënte shitjen më të madhe në histori të saj.
Mallorca e kishte blerë lojtarin për 7,7 milionë euro nga Lazio, e cila paraprakisht e kishte blerë atë për 20 milionë nga Fenerbahçe.
E tash, Mallorca do t’i kërkojë nga 15 deri në 20 milionë euro për shitjen e lojtarit të saj kryesor.
Muriqi, i cili nuk arriti të shënonte gol në dy ndeshjet e marsit me Kosovën, është i gatshëm për hapin e radhës në karrierë.