Muriqi do të bëhet baba për herë të dytë.
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës dhe Fenerbahces, Vedat Muriqi, feston sot ditëlindjen e tij të 26-të dhe bashkëshortja e tij e shfrytëzoi këtë rast për të treguar edhe se është shtatzënë sërish.
Bashkëshortja e sulmuesit shtatlartë, Edibe Muriqi, e postoi një fotografi në llogarinë e vet në Instagram përkrah bashkëshortit dhe fëmijës së tyre të parë, përderisa e dha edhe lajmin e madh, transmeton Gazeta Express.
“Urime ditëlindjen dhe jam e lumtur të të kem ty baba të fëmijëve të mi. Ne të duam ty shumë”, shkroi bashkëshortja e Muriqit.
Ky lajm i mirë për sulmuesin kosovar vjen në një moment kur përkundër pezullimit të të gjitha aktiviteteve sportive, vëmendja e shumë klubeve është e përqendruar te ai.
Përderisa Tottenhami dhe Lazio janë dy klubet që po insistojnë më së shumti deri më tani për transferimin e kosovarit, Fenerbahce planifikon t’i fitojë të paktën 25 milionë euro nga shitja e sulmuesit kosovar.
Lazio nuk ka bërë ende asnjë ofertë për Muriqin, megjithatë mediumet italiane raportojnë se drejtori sportiv i klubit, Igli Tare, do ta bëjë ofertën prej 20 milionë eurosh sapo të kalojë kriza e virusit Covid-19.
Megjithatë, të dyja këto oferta janë nën shifrën të cilën e ka vendosur Fenerbahce: 25 milionë euro. Sabah parashikon se Tottenhami ka më shumë gjasa ta bëjë një ofertë të tillë, pasi që ka buxhet më të madh sesa Lazio.