Muriqi mund të kthehet kundër Real Madridit.
Vedat Muriqi e ka nisur fazën e rehabilitimit pas lëndimit që e kishte pësuar të dielën e 12 nëntorit teksa po e përfaqësonte Kosovën në duel me Izraelin.
Pesë ditë më pas, “Pirati” ka përfunduar në Mallorca, ndërsa më 17 të këtij muaji në qytetin ishullor i është nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Fillimisht u parapa që prizrenasi do të mungojë 4 deri në 6 javë dhe sipas parashikimeve, nëse nuk ndodhin mrekullitë, 29 vjeçari do t’i humb ndeshjet kundër Atletico Madridit, Cadizit, Alavesit e Sevillës, ndërsa është e dyshimtë prezenca e tij kundër Osasunës, shkruan mediumi spanjoll “AS”, përcjell Gazeta Express.
E në rast se nuk do të jetë gati për takimet e fundit të vitit 2023, atëherë ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios, do të kthehet në fillim të janarit.
Më saktësisht, më 3 janar në ndeshje kundër Real Madridit në La Liga.
“Gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë Muriqi pasi e nisi fazën rehabilituese.
Prizrenasi i ka realizuar 4 gola dhe i ka bërë 2 asistime në 12 ndeshje të zhvilluara.