Klubi i Premierligës insiston për Vedat Muriqin.
Vedat Muriqi është bërë objektiv i klubeve të njohura evropiane.
Sulmuesi kosovar e pati një vit brilant me Mallorcan dhe kjo ka bërë që në drejtim të tij të trokasin klubet e La Ligas dhe të Premierligës.
Në Angli, më së shumti “Piratin” po e kërkon Aston Villa.
Trajneri Unai Emery ua ka kërkuar drejtuesve të klubit përfaqësuesin kosovar për pjesën e dytë të sezonit, shkruan Gazeta Express.
Muriqi është dominues në ajër dhe trajneri spanjoll është duke e kërkuar një lojtar pikërisht me karakteristika të prizrenasit.
Klubi nga Birminghami thuhet se është i gatshëm t’i ofrojë 20 milionë euro për 28 vjeçarin, por kjo ofertë është hedhur poshtë nga klubi ishullor spanjoll.
Villa është e gatshme të shkojë deri në 30 milionë euro vetëm për ta transferuar gjigantin e sulmit.
Sidoqoftë, Mallorca do të mundohet të rezistojë deri në pikën e fundit pasi llogarit në shërbimet e ish-futbollistit të Fernabahçes dhe të Lazios në pjesën e dytë të sezonit.
Muriqi i ka realizuar 8 gola në 13 ndeshje, ndërsa është zgjedhur tri herë lojtari i ndeshjes në këtë sezon.
Aston Villa i ka realizuar veç 19 gola në 17 ndeshje të Premierligës dhe kjo ka bërë që ky klub të kërkojë sulmues në afatin kalimtar të janarit.
Mallorca e ka vendosur çmimin e kartonit të Muriqit 40 milionë euro.
Për të thuhet se pëlqim kanë edhe klubet spanjolle, Real Madrid, Atletico Madrid, Villarreali dhe Valencia.
Në Angli e pëlqejnë edhe Evertoni dhe Brightoni.