Velipoja, Shëngjini , zonat në Shqipëri ku humbasin më shumë fëmijë

09:35 | 18 Qershor 2026
velipoja,-shengjini-,-zonat-ne-shqiperi-ku-humbasin-me-shume-femije

Velipoja dhe Shëngjini janë zonat bregdetare më problematike në vend, ku humbasin më shumë fëmijë. Lajmin e dha në Dita Jonë Sekretarja e Federatës së Vrojtuesve të Plazhit Eni Metaj sipas të cilës gjatë fundjavave të korrikut dhe gushtit raportohen dhjetëra raste të fëmijëve që humbin kontaktin me familjarët e tyre.

“Numrat e fëmijëve që humbin në plazh në fakt gjatë fundjavave të verës janë shumë të lartë. Unë mund të them që gjatë fundjavave të verës, janë dhjetëra fëmijë të cilët humbin dhe gjenden më pas. Nuk kemi pasur raste fatale për këtë. Janë momente shpërqendrimi, momente mbipopullimi të plazheve, sidomos në Adriatik, Velipoja, Shëngjini, duke qenë se ka numra shumë të mëdhenj pushuesish, sidomos gjatë muajit korrik dhe gusht. Rastet janë të shumta”, u shpreh ajo në A2 CNN.
Sipas saj, shumica e rasteve zgjidhen shpejt falë bashkëpunimit mes vrojtuesve dhe Policisë së Shtetit, pa pasoja serioze.

“Vrojtuesit e plazheve bëjnë një punë shumë të mirë edhe për të kërkuar dhe për gjetur. Kemi pasur gjithmonë raste të cilat janë zgjidhur si nga komunikimi i vrojtuesve si nga bashkëpunimi me policinë. Mesazhet që vijnë në grupet e WhatsAppit të vrojtuesve janë të shumta”.

Metaj thekson se mbikëqyrja e vazhdueshme nga prindërit mbetet masa më e rëndësishme për sigurinë e fëmijëve. Sipas saj shpërqendrimi nga telefonat apo rrjetet sociale mund të rezultojë i rrezikshëm, pasi incidentet në ujë ndodhin brenda pak sekondash. Ajo rekomandon veshje me ngjyra të ndezura ose neon, të cilat e bëjnë më të lehtë identifikimin e fëmijëve në plazh apo pishinë.

Duke iu referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetit, Metaj tha se fëmijët nga 0 deri në 15 vjeç përbëjnë rreth 43% të rasteve të mbytjeve në nivel global.

“Sipas një studimi të bërë nga Organizatat Botërore e Shëndetit fëmijë nga 0 deri në 15 vjeç përbëjnë 43% të të mbyturve në botë që është një numër shumë i lartë. Dhe nga një deri në pesë vjeç është një përqindje tepër e lartë dhe janë kryesisht fëmijë që mbyten në pishina dhe ndodh që është një mbytje shumë e shpejtë, ndonjëherë dhe e heshtur nuk janë ato zhurmat, thirrjet për ndihmë dhe nuk kuptohet nga të rriturit edhe pse mund të jenë aty. Por dhe ndërkohë besoj që të kesh një shenjë identifikuese të jesh më lehtësisht i dallueshëm mendoj që do ndihmonte shanset në këto raste”.

Komento: