Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e LDK-së, Agim Veliu ka reaguar në drejtim të vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Veliu tha se “Qeveria e shpresës” çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.
Sipas tij, pasi ndodhi greva në sektorin publik, kjo qeveri po tregon se është qeveri e ndëshkimit.
“Po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmang dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim me qëllim që t’i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve.Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje”,tha Agim Veliu.
Tutje ai tha se në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e “mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik”, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor.
“Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë”, shtoi ai.