Vëlla e motër, Sara dhe Haxhiu u sollën nga Siria – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Vëlla e motër, Sara dhe Haxhiu u sollën nga Siria

19:00 | 21 Prill 2019

Të premten mbrëma 110 kosovarë u sollën nga Siria.

Dy fëmijët kosovarë, për të cilët u raportua se ishin të mbyllur në një kamp jetimësh në Siri, u sollën në Kosovë të premten mbrëma.

Para disa ditëve Gazeta Express ka raportuar për dy fëmijë që ishin dëgjuar duke folur shqip në një kamp të mbyllur hermetikisht në veri të Sirisë.

Aty ku po mbaheshin gratë dhe fëmijët e ish luftëtarëve të ISIS’it, aty ishin edhe të vegjlit Sara dhe
Haxhiu, emrat e të cilëve po thirreshin në këtë kamp.

Brenda këtij kampit, në një video të publikuar nga The New York Times, njëri prej fëmijëve shihej në pamjet e publikuara nga gazeta më me renome botërore.

“O Haxhi” thërriste njëri, ndërsa djali që shihet në pamje pyeste “ku o’ Sara”.

Burimet e Gazetës Express konfirmojnë se bashkë me 70 fëmijët e tjerë, Sara e Haxhiu u sollën të premten mbrëma nga Siria në Kosovë. Të dy janë vëlla e motër.

“Sot i kemi verifikuar emrat e të gjithë atyre që kanë ardhur dhe në listat tona janë edhe këta dy fëmijë të vegjël, Sara dhe Haxhiu, për të cilët kishte raportuar gazeta e juaj”, ka thënë një burim i përfshirë në këtë operacion, por që nuk ka dashur të identifikohet.

Disa nga 72 fëmijët u rikthyen në vendlindje, pasi ata i kishin marrë me vete prindërit e tyre kur kishin shkuar për të luftuar nën flamurin e zi të ISIS’it.

Të tjerët kanë lindur në zonën e luftës, e institucionet kosovare i sollën në Prishtinë pasi njërin prej prindërve e kishin me nënshtetësi kosovare. Ndërkaq nëntë fëmijë janë sjell pa asnjërin prind.
Përveç fëmijëve, të premten në Kosovë u sollën edhe 32 gra kosovare si dhe katër burra. Gratë bashkë me fëmijët u strehuan për 72 orë në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll, ndërsa katër burra, mes tyre edhe një djalë i mitur, u ndaluan nga policia nën dyshimet për përfshirjen në luftë krah ISIS’it.

Gjykata Themelore e Prishtinës u caktoi parabu,rgim për një muaj.

Nga kampi ku fëmijët po vuanin për bukë e ujë, në Al Hol, për të cilin raportoi Gazeta Express, vetëm
Franca, Rusia e Cecenia kishin marrë shtetaset e tyre dhe fëmijët e lindur nga to.

Kosova hyn në listën e shteteve të pakta që vendosen të nxjerrin nga kampet gratë dhe fëmijët e luftëtarëve të ISIS’it dhe t’i riatdhesojnë ata.

Institucionet kosovare, me ndihmën e ushtrisë amerikanë, në orët e mbrëmjes së të premtes, përmes një operacioni sekret, sollën në Prishtinë 110 personat.

Menjëherë pas rikthimit të fëmijëve dhe grave nga Siria, Ambasada amerikane në Prishtinë përgëzoi Kosovën që vuri një standard të rëndësishëm në Koalicionin Global kundër ISIS’it.

“SHBA-të e përgëzojnë Kosovën për kthimin e 110 shtetasve të saj nga Siria: katër prej të cilëve supozohet të kenë qenë luftëtarë të ISIS-it dhe të tjerë, gra dhe fëmijë. Me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e së njëjtës rrugë”, shkroi në komunikatën e ambasadës.

Komento: