
Një konflikt familjar ka eskaluar në dhunë fizike mes dy vëllezërve në Gjilan, duke përfunduar me arrestimin e të dyshuarve dhe sekuestrimin e një arme zjarri.
Ngjarja ka ndodhur më 24.02.2026 rreth orës 18:30, në rrugën “Muharrem Aliu” në Gjilan, ku Policia është njoftuar për një përleshje fizike brenda familjes.
Burime nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se dy vëllezërit, F.H rreth 56 vjeç dhe B.H rreth 46 vjeç, janë përfshirë në një konflikt për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth pronës, konflikt që ka degraduar në dhunë fizike, me ç’rast të dy i kanë shkaktuar lëndime njëri-tjetrit, raporton Sinjali.
Për shkak të peshës së rastit, Njësia e Hetimeve, me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit, ka realizuar kontroll në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e kalibrit 9.19 mm, së bashku me dy karikatorë të zbrazët. Arma posedonte leje, por megjithatë është konfiskuar për procedura të mëtejme ligjore.
Pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin kujdestar, ndaj të dyshuarve është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa rasti është referuar në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.