Vendet e Ballkanit Perëndimor pa roaming

14:47 | 04 April 2019

Vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshjen pa roaming.

Të gjithë qytetarët shqiptarë pajtohen se tarifat e roamingut janë një pengesë kur udhëtojnë kudo jashtë vendit.

Por të paktën në disa vende në Ballkan shqiptarët nuk do të kryejnë telefonata apo shërbime të tjera celulare me kosto të larta. Ky është qëllimi i marrëveshjes për heqjen e tarifave të shërbimit ‘roaming’, e cila u nënshkrua këtë të enjte në Beograd nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Serbia.

“Ky është hapi i parë pozitiv kështu që nuk do jetë më nevoja që qytetarët e vendeve të rajonit të blejnë numra të rinj telefonësh apo të kenë nevojë për shërbimin Roaming kur udhëtojnë në rajon, në vendet: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Malit i Zi, Kosovë dhe Serbi”, njoftoi Majlinda Bregu, sekretare gjenerale e RCC.

Megjithatë, marrëveshja do të nisë të zbatohet në korrik të vitit 2021, ndërkohë që reduktimet e tarifave do të fillojnë që nga 1 korriku i këtij viti, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve. Nënshkrimi i marrëveshjes do të thotë se që prej datës 1 Korrik të vitit 2021, në secilin prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mund të flitet me koston e një telefonate lokale, dhe jo më me tarifat e shtrenjta roaming.

Samiti i dytë dixhital për Ballkanin Perëndimor zhvillohet nën organizmin dhe mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, të drejtuar nga Sekretarja e përgjithshme Majlinda Bregu dhe Komisionerja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale Marija Gabriel.

Komento: