Vendet evropiane marrin masa të reja për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Vendet evropiane marrin masa të reja për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus

20:35 | 28 Korrik 2020

Shtimi i rasteve me Covid-19, vendet evropiane marrin masa të reja.

Të shtyrë nga frika për një ringritje të infektimeve, disa vende evropiane po ndërmarrin masa të reja për të luftuar transmetimin.

Belgjika, ashpërsoi kufizimet për tubimet publike.

Nga e mërkura, banorët do të lejohen të shohin një maksimum prej pesë personash jashtë familjeve të tyre.

Numri i njerëzve që lejohen të mblidhen në vende publike është përgjysmuar po ashtu, deri në 100 në ambiente të mbyllura dhe deri në 200 në ambiente të hapura.

Belgjika ka patur një nga shkallët më të larta të infektimit në Evropë dhe rastet po rriten sërish.

Në javën e kaluar, një mesatare prej 279 personash në ditë janë prekur nga koronavirusi krahasuar me 163 në ditë, që ishte mesatarja një javë më parë.

Ndërkohë Gjermania ka vendosur t’i bëjë të detyrueshëm testet për të gjithë ata që mbërrijnë në vend nga zonat me rrezik të lartë dhe Franca fqinje ka urdhëruar ndalim qarkullimi gjatë natës në plazhet në Quiberon pasi një vatër rastesh të reja u shfaq në resortin në Bretanjë, javën e shkuar.

Spanja në anën tjetër po përpiqet të shpëtojë industrinë e saj të turizmit ndërkohë që rastet e koronavirusit rriten në zonat e Katalonjës dhe Aragonës.

Zyrtarët spanjollë insistojnë se virusi është nën kontroll.

Një ditë më parë, shefi i OBSH-së paralajmëroi se pandemia po vazhdon të përshpejtohet me numrin e rasteve në të gjithë botën që është dyfishuar në gjashtë javët e shkuara, rreth gjashtë muaj pasi ajo shpalli emergjencën globale të shëndetit publik.

Sipas Universitetit John Hopkins, 16.4 milionë raste koronavirusi janë regjistruar në të gjithë botën.
Të enjten mbushen ndërkohë gjashtë muaj nga 30 janari, kur OBSH-ja ngriti alarmin për pandeminë në nivelin më të lartë të mundshëm.

Komento: