Vendi po futet në krizë ekonomike, kështu ka thënë deputeti i AAK-së.
Deputeti i AAK’së, Arbër Tolaj, mendon se ka probleme të shumta në menaxhimin e pandemisë me Covid-19, pavarësisht angazhimit.
Ai tha se vendi po futet në krizë ekonomike.
Ai tha se si qeveria e kaluar edhe kjo aktuale, po merren me trajtimin e masave që mund ta parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
“Gjithmonë ka vend për përmirësime, edhe qeveria e kaluar ka dhënë angazhimin e saj për formën dhe menaxhimin e gjendjes së pandemisë, edhe qeveria aktuale në vazhdimësi është duke trajtuar dhe duke rishikuar të gjitha masat që janë në ndihmë të menaxhimit të pandemisë. Masat e fundit që kanë të bëjnë me ndalimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve pas orës 19:00, fillimisht qeveria ka pasur predispozita se do ta vë vendin në mbyllje totale, por ne AAK’ja e kemi kundërshtuar këtë qasje dhe kemi propozuar alternativa, duke menduar të ruhet edhe ekonomia, tha ai.
Ai thotë se pandemia solli “çrregullim në shërbimet shëndetësore” dhe se janë përballur vështirësi e probleme teknike për shkak se nuk është ditur si të sigurohet mbrojtje nga ky virus fillimisht.
Ndërkaq, ka thënë se nevojitet shtim i shtretërve në reparte e klinika si dhe një klinikë e posaçme për COVID-19.
“Duhet pasur parasysh rritjen e kapaciteteve, shtretërve sidomos shërbimet spitalore, repartet që nuk janë të mbingarkuara me shërbime të veta, mund të shërbejnë për COVID-19. Po ashtu në QKUK të rritet numri i shtretërve. Propozimi që nuk është realizuar ende, ndërtimi i një spitali për COVID ku do trajtoheshin rastet vetëm me virus”, tha ai.