Vendim i papritur i Ibrahimovicit: A po e paralajmëron rikthimin në Kombëtaren e Suedisë?

14:36 | 02 Nëntor 2020

A po e paralajmëron Ibrahimovic rikthimin në Kombëtaren e Suedisë?

Zlatan Ibrahimovic ka lënë të kuptohet se dëshiron të rikthehet në Kombëtaren e Suedisë, nga e cila u pensionua para katër vjetëve, pas formës mbresëlënëse me Milanin këtë sezon.

Ibrahimovic e postoi në rrjetet sociale një fotografi ku shihet me fanellën e kombëtares suedeze, në të cilën ka shënuar “kohë e gjatë pa u parë”, raporton Gazeta Express.

Ibrahimovic ka veshur për herë të parë fanellën e kombëtares suedeze në vitin 2001, që nga ajo kohë ai ka arritur që t’i shënojë 62 gola në 116 ndeshje.

Sulmuesi veteran nuk e ka veshur më fanellën e verdhë që nga Kampionati Evropian 2016, kur dështoi ta kalonte fazën e grupeve bashkë me kombëtaren e tij.

39-vjeçari është duke kaluar një sezon mbresëlënës me skuadrën e Milanos, me të cilët në katër ndeshje ai ka arritur të shënojë shtatë gola dhe të asistoi një herë.

Ndeshjet e radhës për kombëtaren suedeze do të jenë në muajin nëntor kundër finalistëve të botërorit të kaluar, Kroacisë dhe Francës.

Gjatë kësaj jave pritet të publikohet lista e lojtarëve të ftuar nga trajneri Janne Andersson.

Komento: