Vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë

17:08 | 13 November 2024
vendimet-qe-u-moren-sot-ne-mbledhjen-e-qeverise

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje të rregullt në të cilën ka marrë disa vendime.

Këto vendime përfshijnë çështje të ndryshme ligjore, sociale, ekonomike dhe strategjike.

Më poshtë gjeni të gjitha vendimet:

– Dhënë mendim mbështetës lidhur me Nismën Legjislative të Kuvendit për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-168 për Prokurorinë Speciale”.

– Miratuar Projekt-rregulloren për Performancë Rajonale dhe Monitorim të Zhvillimit Socio Ekonomik Rajonal të Balancuar. Kjo Projekt-rregullore ka për qëllim të përcaktojë fushat, kriteret dhe treguesit për vlerësimin e performancës së zhvillimit socio – ekonomik rajonal të balancuar dhe të ofrojë rekomandime për përmirësimin e procesit të zhvillimit rajonal.

– Aprovuar kërkesën për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të kërkuara nga Komuna e Shtimes të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për realizimin e disa projekteve kapitale si ndërtimi i objektit të ri të Komunës, përfundimi i projektit të tregut të gjelbër, ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së, objekte rekreative sportive, pishinë, dhe poligoni për çiklizëm.

– Miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për Transpozimin e Direktivës për Shërbime në Tregun e Brendshëm për Periudhën 2024 – 2026, sipas Ligjit për Shërbime.

– Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 02/128 të datës 16.02.2023 në lidhje me “Komisionin për Përfitimin e Shtesës për Kushte Specifike të Punës”. Sipas këtij plotësim ndryshimi, Adrian Krasniqi zëvendëson Drilon Osmanin në pozitën e kryesuesit.

– Ndarë 7,368,410.00 Euro për zbatimin e masës 2.2 për Mbështetje të bizneseve për qasje në financa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

– Aprovuar kërkesën për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25.

– Themeluar Komisionin për Ekspertë. Ky Komision përgatitë listën e pozitave të cilët kategorizohen si ekspertë në bazë të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

– Themeluar e Komisionin për Vlerësimin e Sistemeve Shtetërore të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike. Edhe ky Komision, derivon nga Ligji për Pagat në Sektorin Publik. Ai përgatitë listën e sistemeve të informacionit dhe komunikimit me rëndësi strategjike shtetërore, si dhe listën e pozitave të punës të lidhura me sistemet përkatëse.

– Miratuar Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030. Kjo Strategji do të kontribuojë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës. Kjo do të arrihet me sigurimin e qasjes universale dhe të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët e vendit.

– Aprovuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bashkimit Evropian të përfaqësuar nga Komisioni Evropian dhe Bankës Qendrore të Kosovës si agjent i Qeverisë për Mekanizmin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje, ndër të tjera, synon të rrisë integrimin ekonomik rajonal të Kosovës dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së.

– Aprovuar Raportin nëntë (9) mujor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2024. Ai përmban një përmbledhje të trendëve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës nëntëmujore të vitit 2024.

– Miratuar Rregulloren për të Drejtat e Rabatit. Si instrument i ri që është prezantuar me Ligjin e ri të Kinematografisë, rabati synon të tërheqë në Republikën e Kosovës investime në prodhimet kinematografike dhe audio-vizuele, shuma prej 30% e të cilit investim i kthehet kompanisë investuese në vend. Kjo me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës, avancimin e ekonomisë kreative dhe ngritjen e prodhimtarisë artistike në vend.

– Miratuar Projektligjin kundër Shpëlarjes së Parave. Ky projektligj përcjell standardet e Bashkimit Evropian për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar. Miratimi i tij mundëson aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA).

– Emëruar Komisionin për Pranimin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), me këtë përbërje:

i. z. Ismail Dibrani, Drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, kryesues;

ii. znj.Afërdita Beka Arifaj, Drejtore e Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, anëtare;

iii. znj.Fahrije Tërnava, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme ;

iv. znj.Shqipe Makolli, Zyra për Burimet Njerëzore ASK, anëtare; dhe

v. z.Bedri Xhafa, ekspert i jashtëm.

– Miratuar Planin tre (3) vjeçar për Rezervat Shtetërore.

– Miratuar Programin Vjetor për Rezervat Shtetërore të Mallrave 2024.

Komento: