Vendimi do shtrenjtojë bukën, rritja e çmimit të energjisë prek rëndë 500 mijë familje në Kosovë

21:08 | 25 February 2025
vendimi-do-shtrenjtoje-buken,-rritja-e-cmimit-te-energjise-prek-rende-500-mije-familje-ne-kosove

Kompanitë që operojnë sektorin e energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë me 35%. KOSTT, KEDS dhe KESCO e kanë dërguar atë në Zyrën e Rregullatorit për Energji. Kjo u konfirmua për A2 CNN nga Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në një përgjigje me shkrim:

“ZRRE-ja do të publikojë një raport për konsultim me publikun, ku do të paraqesë analizat dhe rekomandimet e saj. Ky raport do të jetë në dispozicion për konsultim publik për një periudhë dyjavore. Pas shqyrtimit të komenteve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vendim përfundimtar, i cili do të dërgohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Deri në përfundimin e këtij procesi dhe publikimin e raportit konsultativ, ZRRE-ja nuk mund të deklarohet  lidhur me mundësinë e rritjes apo uljes së tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025”, tha Ymer Fejzullahu, kryetari i Bordit të ZRrE, shkruan A2 CNN.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u del në mbrojtje konsumatorëve duke ngritur shqetësimin për ndikim tepër negativ për qytetarët dhe për bizneset.

“Me këtë shtrenjtim prodhuesit vendorë do të sfidohen nga konkurrenca e produkteve të njëjta që importohen nga vendet e tjera”, u shpreh Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomisë të Kosovës.

Kurse sa i përket heshtjes së qeverisë ndaj një kërkese të tillë, Rafuna shprehet: “Me këtë shtrenjtim prodhuesit vendorë do të sfidohen, dhe i rekomandon qeverisë se re se bazuar në eksoertizen e bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës, rezulton se nuk ka asnjë arsye që çmimi i energjisë të rritet me fillimin e  Pranverës”.

Analisti Lavdim Hamidi ngre shqetësimin e efektit zinxhir që mund të ketë shtrenjtimi i energjisë elektrike.

“Tendenca për rritjen e çmimit të energjisë elektrik, ka një kosto bazë në rritjen e inflacionit dhe të çmimit të bukës”, u shpreh analisti Lavdim Hamidi.

Për shkak të krizës energjetike në vitin 2022 dhe rritjes së çmimit të importit të energjisë elektrike, ZRRE kishte rikthyer bllok-tarifën dhe kishte shtrenjtuar energjinë. Rritja e çmimit të energjisë i kishte prekur kryesisht ata që kanë konsumuar më shumë se 800 kilovatë. Në vitin 2023 sërish ishte shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike, pasi ZRRE kishte vendosur që tarifat e energjisë elektrike të ishin më të larta për 15%. Kurse, në vitin 2024, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, bizneset kanë pasur ulje prej 3% të tarifave të energjisë elektrike deri në miratimin e tarifave të reja. (A2 Televizion)

Komento: