Vendimi i Kosovës për refuzimin e Mini-Shengenit po vlerësohet në këtë mënyrë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Vendimi i Kosovës për refuzimin e Mini-Shengenit po vlerësohet në këtë mënyrë

22:06 | 19 Dhjetor 2019

Është vlerësuar vendimi i Kosovës për refuzimin e Mini-Shengenit.

Kosova nuk do të marrë pjesë as në takimin e tretë të liderëve të formatit rajonal të njohur si “Mini-Shengen” që do të mbahet në Tiranë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Thaçi ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për ftesën duke thënë se për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Dhe kjo për shkak se pengesë kryesore është Serbia.

Thaçi refuzon Ramën, nuk merr pjesë në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor

Takimi i parë i mbajtur në Novi Sad dhe i dyti i mbajtur në Ohër nuk e kanë bindur Kosovën të jetë pjesë e këtyre takimeve, derisa analistët e kanë vlerësuar se kjo nismë nuk do të funksionoj.

Analisti Naim Rashiti në një prononcim për lajmin është shprehur se kjo nismë nuk do të funksionojë për shkak se del jashtë procesit të Berlinit dhe është i ideuar në papjekuri.

“Por çështja është se nuk funksionon Mini-Shengeni, sado që ka përpjekje, Mini-Shengeni është papjekurish i ideuar dhe del jashtë kornizës së procesit të Berlinit dhe nuk do të funksionoj”, tha Rashiti për lajmi.net.

Më tutje, Rashiti është shprehur se vendimi për mospjesëmarrje të Kosovës arsyetohet me dallimet rajonale dhe parcializimin që ka shkaktuar kjo nismë.

Sipas Rashitit, kjo nismë është dashur të konsultohet me procesin e Berlinit dhe Samitin e Triestes pasi përndryshe nuk do të ketë sukses.

“E pashë vendimin e tij, por është më tepër reflektimin i situatës së brendshme dhe dallimeve rajonale është shenjë e këtyre dallimeve, një periudhë kur bashkëpunimi rajonal u konsolidua ndërmjet 6 vendeve dhe tani u parcializua dhe si e tillë nuk do të funksionoj. Problemi më i madh është te procesi dhe jo çfarë nënkupton Mini-Shengeni, sepse kjo ide ka shkaktuar parcializimin, nuk ka filluar me konsultime në nivele, ka filluar keq nga niveli më i lartë sepse është duhur të diskutohet në nivelin ndër-qeveritar dhe të konsultohet me procesin e Berlinit dhe Samitin e Triestes sepse kjo rrjedh më tepër nga Forumi Ekonomik Rajonal, këta kanë shkuar më tutje të prodhojnë edhe një frymë tjetër, por ka filluar nga nivele të larta”, tha Rashiti për lajmi.net.

Në fund, sipas Rashitit, nuk do të ketë ndonjë marrëveshje nga ky proces për shkak të ekonomisë politike, krimit të organizuar dhe monopoleve të cilat janë prezente në vendet e rajonit.

“Po të kishte ndodhur që në Novi Sad të mbledhshin gjashtë vendet ndoshta do të funksiononte, por atje ka filluar keq dhe nuk do të funksionojë, kjo ide do të fundoset nga iniciativa të tjera rajonale. Mini-Shengeni nuk japë konstrukt të marrëveshjes, ekonomia politike dhe krimi i organizuar që funksionon brenda shteteve, Serbisë, Shqipërisë, por edhe Kosovës. Krimi, korrupsioni, modeli ekonomik, monopolet nuk do të lejojnë të ketë ekonomi të frymës së BE-së, Maqedonia është shteti i vetëm që po bën përpjekje t’i eliminojë këto, tjerat qeveri nuk janë fare të sinqerta”, tha Rashiti për lajmi.net.

Në anën tjetër, analisti Shkodran Ramadani për lajmi.net është shprehur se refuzimi i pjesëmarrjes nga ana e Kosovës nënkupton se politikanët dinë diçka më shumë sesa që dihet në publik.

Sipas Ramadanit, ky vendim ka ndodhur edhe për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Për Mini-Shengenin dihet pak në publik, përveç takimeve zyrtare publike që kanë ndodhur, nuk është që dihet shumë për përmbajtjen nëpërmjet ndonjë plani ose dokumenti, por meqë Republika e Kosovës ka refuzuar të shkojë, sigurisht kanë informacione për natyrën e projektit dhe për këtë arsye refuzojnë të marrin pjesë, por edhe për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Kosovën”, tha Ramadani.

Ramadani ka zbuluar edhe arsyen tjetër pse Kosova nuk do të marrë pjesë në këtë proces, e që është perspektiva evropiane, pasi Mini-Shengeni shihet si zëvendësim i BE-së për rajonin.

“Refuzimi ndodh edhe për shkak të perspektivës evropiane për shkak se mendohet Mini-Shengeni është si zëvendësim për integrimin evropian dhe kjo mund të ketë pasoja afatgjate për të ardhmen e Ballkanit, shembull, procesi i Berlinit ka qenë projekt që ka parë bashkëpunim rajonal në kuadër të BE-së, rreziku është që Kosova ka frikë, edhe Mali i Zi edhe të gjithë që e kritikojnë e shohin si mekanizëm që e rrit edhe më shumë humnerën midis BE-së dhe vendeve të rajonit”, tha Ramadani për lajmi.net.

Në anën tjetër, vlen të theksohet se ftesë për pjesëmarrje në këtë samit ka marrë vetëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili është përgjigjur negativisht edhe për herë të tretë.

Krerët e tjerë shtetëror të Kosovës nuk kanë marrur ftesa të jenë pjesë e këtij procesi.

Komento: