Vendimi i PZAP-së për Listën Serbe, KQZ: Ka kohë 48 orë për t’u ankuar në Gjykatë Supreme

20:08 | 25 December 2024
vendimi-i-pzap-se-per-listen-serbe,-kqz:-ka-kohe-48-ore-per-t’u-ankuar-ne-gjykate-supreme

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka miratuar sot ankesën e Listës Serbe lidhur me moscertifikimin e saj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Kësisoj, PZAP-ja ka urdhëruar KQZ-në që të zbatojë vendimin dhe të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Gazetën10, se vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme.

“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë Elezi për Gazetën10.

Ndryshe, në vendim e PZAP-së ndër të tjera thuhet se njoftimi i KQZ-së për moscertifikimin është anuluar, duke u argumentuar se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat përkatëse të KQZ-së.

Gjithashtu, PZAP-ja thekson se gjatë votimit në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim përfundimtar, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. /Gazeta10/

Komento: