Gjykata e Apelit ka dënuar me burg të përjetshëm, Pjetër Nrecaj.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se vendimi për dënim me burgim të përjetshëm për Pjetër Nrecajn është ndër vendimet më të mira që ka marrë Gjykata e Apelit.
Shala, në “Express Intervistën” në KTV, ka kritikuar edhe gjykatën e shkallës së parë në Gjakovë e cila, sipas tij, nuk kishte shkuar as në dënimin maksimal, pas atij me burg të përjetshëm.
“Ky është një ndër rastet e rralla kur Gjykata e Apelit e luan rolin e vet ligjor, kur i korrigjon në mënyrë të duhur gjykatat e shkallës së parë, që kishte marrë një vendim më të butë, ndonëse këtu ishte pasojë shumë e madhe, dhe që nuk i kishte vlerësuar si duhet rrethanat e rastit, madje nuk kishte shkuar as në maksimumin e dënimit që ishte 25 vite”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se ekziston mundësi minimale që këtë vendim ta ndryshojë Gjykata Supreme, edhe pse sipas tij, në hulumtimet e IKD-së kjo gjykatë shpeshherë di të bëjë gabime amatoreske.
“Ky vendim mund të jetë objekt i shqyrtimit në Gjykatën Supreme. Unë nuk e besoj që do të ketë ndonjë lëshim eventual. Ka në disa raste të caktuara që kemi hulumtuar e që janë bërë disa gabime amatoreske dhe që rasti është dashur të kthehet në rishqyrtim. Në vetë faktin se si është kryer vepra penale, i burgosuri duhet të vihet në burgun e sigurisë së lartë në Gërdoc”, tha ai.
Ndërkaq, lidhur me vendimin për burgim të përjetshëm ndaj Nrecajt, Shala beson se ndikim ka pasur edhe reagimi nga publiku të cilët kanë qenë të zëshëm për rastin.
“Është rasti i vetëm që një gjykatë e Kosovës shqipton dënim me burgim të përjetshëm. Politika ndëshkimore gjithmonë ka qenë selektive, ka pasur raste të ngjashme që nuk janë dënuar njëjtë. Reagimi i publikut në secilin rast do të duhej me qenë një nxitës më i madh në llogaridhënien e sistemit të drejtësisë. Ka pas reagim nga publiku dhe është rritur niveli i llogaridhënies së Gjykatës së Apelit”, tha Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Pjetër Nrecaj është dënuar sot me burgim të përjetshëm për privim nga jeta e bashkëshortes së tij dhe të bijës.