
ensionistët nuk do të jenë më të detyruar të paraqiten çdo gjashtë muaj pranë autoriteteve shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, për të vazhduar marrjen e pensionit. Ky vendim vjen nga Gjykata Supreme, e cila shpalli të paligjshëm udhëzimin administrativ që parashikonte këtë rregull. Vendimi u bazua në padinë e E.Sh.
Në vendim theksohet se Ministria ka përgjegjësinë për të monitoruar nëse pensionisti është gjallë, duke u përjashtuar qytetarët nga kjo detyrë. Për pasojë, pensionistët nuk mund të penalizohen nëse nuk paraqiten pranë autoriteteve.
Për më shumë lexoni vendimin e Gjykatës Supreme të plotë:
Gjykata Supreme e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit E.Sh., e paraqitur kundër të paditurës Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) – Departamenti i Pensioneve.
Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.
Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi.
Paditësi E.Sh., ka parashtruar padi kundër të paditurës, MFPT, për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ – Udhëzimin Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.
Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk janë në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm.
Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se aktet nënligjore vlejnë vetëm sa kohë janë në pajtim me ligjin, ndërsa një rregullim i tillë nënligjor, i cili prek në mënyrë materiale të drejtat e qytetarëve, siç trajtohet pensioni, mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me akt nënligjor.
Kompetenca e Ministrisë, kufizohet vetëm në rregullimin e mënyrës teknike të suspendimit nga pagesa, dhe assesi në krijimin e detyrimeve, afateve apo pasojave materiale që nuk i parasheh ligji.
Ligji Nr. 04/L-131 Për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nuk përmban asnjë element që do t’i jepte Ministrisë kompetencë të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast mos-lajmërimi.
Suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit, dhe jo e para. Për këtë arsye, Gjykata Supreme konstaton se dispozitat e UA nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë mos-lajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme.