UEFA vendos afat për përfundimin e kampionateve vendore.
UEFA dhe Shoqata e Klubeve Evropiane (ECA) janë pajtuar për përfundimin e të gjitha ligave vendore evropiane deri në fund të muajit korrik, në mënyrë që muaji gusht të jetë i lirë për zhvillimin e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.
ECA-ja është përkushtuar për të siguruar se kampionatet në të gjitha ligat evropiane do të përfundojnë deri më 31 gusht, sipas gazetës spanjolle “AS”.
Kjo do të bënte që muaji gusht të jetë i lirë për zhvillimin e ndeshjeve të mbetura në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës.
Ipko Superliga e Kosovës u ndërpre në fillim të marsit, pas rasteve të para të konfirmuar në vend me Covid-19, dhe nuk dihet ende se kur mund të rifillojë. Klubet ende nuk janë rikthyer në stërvitje, që nënkupton se futbolli nuk mund të rikthehet para muajit qershor, raporton Gazeta Express.
Mbi 600 persona janë prekur me Covid-19 në Kosovë, ndërsa 18 kanë vdekur deri më tani.
Liga elitare kosovare i ka edhe 11 javë të mbetura, me Ballkanin që prin me 44 pikë, një më shumë se Drita në vendin e dytë.
Nëse sezoni nuk mund të kompletohet në Superligë, siç ka ndodhur në Belgjikë dhe Holandë, UEFA ka vendosur që çështjen t’ua lërë në duar federatave përkatëse.
Pra, do t’i mbetet Federatës së Futbollit të Kosovës(FFK) të vendosë për kampionin apo ta shpallë të pavlefshëm sezonin.