Vendosë Gjykata e Apelit: Sulmuesi i shtëpisë së gazetarit Alban Selimi do të mbajë 4 vite burg

15:38 | 18 December 2024
vendose-gjykata-e-apelit:-sulmuesi-i-shtepise-se-gazetarit-alban-selimi-do-te-mbaje-4-vite-burg

 Prishtinë, 18 dhjetor – Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe ka mbajtur në fuqi dënimin prej 4 vite burg ndaj Arsim Limanit, i cili në mars të vitit 2023 shkakoi zjarr në shtëpinë e redaktorit të redaksisë hulumtuese të RTK-së, Alban Selimit.

Të gjitha pretendimet e avokatit Fanol Krasniqi, se Gjykata Themelore ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, Gjykata e Apelit i ka hedhur poshtë. Sikurse nuk i ka marrë për bazë as deklaratat shpifëse që Limani i ka bërë ndaj gazetarit, në fund të procesit gjyqësor, duke u përpjekur të vëjë në lajthitje trupin gjykues për motivin e sulmit.

Gazetari i RTK-së, Alban Selimi në një prononcim për Frontonline ka thënë se Gjykata e Apelit këtë rast ka marrë parasysh argumentet e paraqitura gjatë procesit gjyqësor derisa ka hedhur poshtë pretendimet shpifëse, për të cilat, po ashtu sipas Selimit, Limani do të ballafaqohet me drejtësinë.

“Ne veçse kemi procesuar padinë për dëmin material dhe shpirtëror që ky person me të kaluar kriminale ka shkaktuar ndaj meje dhe familjes time. Pa dyshim, se sulmi ka qenë i porositur dhe ajo që më vie keq është që Prokuroria nuk ka arritur të zbulojë zinxhirin kriminal që kanë porositur sulmin ndaj meje ”, ka thënë gazetari Selimi.

 

 

Komento: