Vendoset gurthemeli i objektit të Komunës së Shtimes, investim 2.5 milionësh

19:08 | 28 December 2024
vendoset-gurthemeli-i-objektit-te-komunes-se-shtimes,-investim-2.5-milionesh

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të objektit të ri të Komunës se Shtimes.

Aty ai ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të cilët u mirëpriten nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

Me një sipërfaqe rreth 2500 metra katrorë, objekti i ri i Komunës është i projektuar për mbi 100 punonjës të Komunës, dhe ka rreth 40 zyre pune. Ky projekt është realizuar si bashkëfinancim ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunës së Shtimes, me vlerë afro 2.5 milionë euro.

“Sot po ia vëmë gurthemelin dhe pas 18 muajve do ta kemi këtë ndërtesë të re me tre kate dhe me bodrum gjithsej rreth 2500 metra katrorë, me ç’rast do të jenë rreth 40 zyra për mbi 100 të punësuar”, deklaroi kryeministri Kurti, duke shtuar se vjetërsia e objektit aktual është një ndër arsyet e ndërtimit të objekt të ri për komunën, në mënyrë që t’ju shërbejë edhe më shumë të gjithë qytetarëve me cilësi e profesionalizëm.

Ngjashëm deklaroi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke shprehur se është i lumtur që si Ministri e Punëve të Brendshme kanë mundësinë që t’i asistojnë qytetarët e Komunës së Shtimes, që të përmirësojnë kushtet e punës së administratës komunale, në mënyrë që ata të ofrojnë shërbime sa më të shpejta dhe cilësore për qytetarët.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrat e pranishëm për bashkëpunimin, duke besuar se ndërtesa e re do të jetë një objekt i denjë si për administratën dhe komunën, ashtu edhe për qytetarët e komunës.

Ndër të tjera, Qeveria e Kosovës ka investuar në zhvillimin e infrastrukturës arsimore, kulturore dhe publike të Komunës së Shtimes, duke përfshirë ndërtimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar në Rashincë në vlerë 300 mijë euro, përurimin e Bibliotekës dhe Arkivit në vlerë prej 629 mijë euro, funksionalizimin e ndërtimin të çerdheve, dhe rinovimin e shkollave me fond të efiçiencës. Po ashtu, po punohet në infrastrukturën rrugore për pjesët që lidhin fshatrat e malësisë me qytetin, derisa janë në ndërtim e sipër Unaza e Vogël e Qytetit, e brendshme dhe Unaza e Madhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të një sheshi modern e ndërtimit të parkingut nëntokësor.

“Falë qeverisjes transparente të kryetarit Qemal Aliu, Komuna e Shtimes ka përfituar grantin e performancës, dhe kjo ka ndihmuar që të investohet për të rritur sigurinë e këmbësorëve dhe trafikut me ndriçim publik, me ç’rast janë vendosur 650 shtylla. Dhe gjithashtu po investohet në objektet kulturore sikurse; Palestra Sportive, Qendra Rinore, Shtëpia e Kulturës e në stadiumin e qytetit në vlerë mbi afro 3.5 milionë euro. E shumë shpejt pritet të filloj puna për dislokimin e këtij Entit Special dhe për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare”, përfundoi kryeministri Kurti.

Komento: