Veriu i Kosovës sfidon shtetin, nuk i paguan tatimet dhe punohet pa kupona fiskal

09:22 | 26 Tetor 2020

Biznese të profileve të ndryshme operojnë në katër komunat e banuara më shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq), por në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë të regjistruara vetëm 981 biznese më gjithsej 1316 njësi aktive.

Nga ky numër, tatim në ATK paguajnë vetëm 255 biznese. Nga muaji janar deri në muajin shtator të këtij viti, vlera e tatimeve të marra nga këto biznese, pa kontribute pensionale, është 663 mijë euro, thonë zyrtarë të administratës.

Tatimet janë burimi kryesor i mbledhjes së të hyrave publike me të cilat shteti i plotëson të dalat publike.

Por, shifrat për regjistrimin e bizneseve ndryshojnë nga ato të ATK-së.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, (ARBK) agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se në pjesën veriore të Kosovës janë të regjistruara 3,740 biznese.

Sipas ATK-së, këto biznese mund të jenë të regjistruara, por nuk janë aktive. Poashtu, një numër i bizneseve mund të mos kenë përfunduar procedurat zyrtare për çregjistrim në ARBK.

Bizneset në veri nuk janë të pajisura me arka fiskale

Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa nga bizneset aktive në pjesën veriore të Kosovës, pronarët e të cilave nuk kanë dashur të prononcohen para mikrofonit. Megjithatë, ata thonë se rregullisht paguajnë obligimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas, tyre pagesat realizohen në bazë të strukturës se biznesit të regjistruar, çoftë ndërmarrje e vogël, e mesme apo e madhe.

Ndryshe nga deklarimet, situata në terren është krejt ndryshe. Bizneset në këtë pjesë nuk janë të pajisura me Pajisje Elektronike Fiskale, në bazë të së cilave pas çdo blerje lëshohet kuponi fiskal. Njëherësh, janë të obliguar të bëjnë transmetimin e raporteve periodike në Administratën Tatimore të Kosovës.

Madje, një nga pronarët në veri thotë se “nuk lëshon kuponë fiskal si të tjerët, por që ai rregullisht paguan detyrimet e tij tatimore, bazuar në qarkullimin, si dhe taksat mbi pagat për punonjësit, të cilat përfshijnë taksat dhe kontributet e sigurimeve pensionale”.

Mosfiskalizimi krijon evazion fiskal

Procesi i vendosjes së arkave fiskale në Kosovë ka filluar në vitin 2009, dhe qëllimi nga Administrata Tatimore e Kosovës ishte evitimi i evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe shitjet në një dyqan.

Por, zyrtarë të ATK-së nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se sa është numri i bizneseve të pajisura me pajisje fiskale.

Moslëshimi i kuponit fiskal dhe mostransmetimi i të dhënave në Administratën Tatimore të Kosovës, janë të ndëshkueshme me ligjet në fuqi.

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se qasja e këtij institucioni në katër komunat e banuara më shumicë serbe, nuk është shumë komode nëse krahasohet me rajonet tjera të Kosovës.

Valentina Bytyqi, zëdhënëse në ATK, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se në atë pjesë ka inspektorë të komunitetit serb të cilët janë të autorizuar të kryejnë aktivitete, inspektime dhe vëzhgime. Dhe përkundër vështirësive, thotë ajo, është arritur që të kryhen aktivitete dhe të ketë të hyra prej bizneseve të asaj pjese.

Abiti: Pjesa veriore e Kosovës, “parajsë e fshehur”

Shmangia e lëshimit të kuponëve fiskalë, u mundëson bizneseve që t’u ikin obligimeve tatimore, duke krijuar evasion fiskal, krim të organizuar dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës, thotë Rrustem Abiti, ish-koordinator zyrës rajonale në Mitrovicë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës.

Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se bizneset në pjesën veriore të Kosovës, nuk i japin llogari shtetit të Kosovës.

Komento: