Vërshime masive në shumë qytete të Francës.
Dy persona u gjetën të vdekur të dielën pas vërshimeve masive që e kanë përfshirë pjesën juglindore të Francës nga e premtja. Përpos viktimave, autoritetet lokale kanë thënë se vërshimet kanë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Një viktimë u gjet afër qytezës Muy, e cila shtrihet mes qyteteve Nice dhe Marseille, njoftoi policia. Zyrtarët nuk treguan nëse trupi i gjetur i përket një personi që ishte raportuar i zhdukur më herët pasi kishte rënë nga një barkë e ekipeve të shpëtimit në orët e vona të së shtunës.
Trupi i pajetë i një personi tjetër u gjet në një veturë në Cabasse, fshat që ndodhet afër vendit ku u gjet viktima tjetër. Në një deklaratë të mëhershme, autoritetet lokale kishin njoftuar se një burrë 77-vjeçar është zhdukur nga e shtuna në mëngjes.
Disa lumenj kanë dalë nga shtrati i tyre në pjesën juglindore të Francës, duke shkaktuar dëme materiale pas depërtimit nëpër shtëpi. Uji i ka marrë me vete edhe disa vetura.
Reshjet e shiut vazhduan në këtë rajon edhe të dielën, por me një intensitet më të ulët. Rrjedhimisht, meteorologët francezë njoftuan se vërshimet pritet të zvogëlohen më vonë gjatë ditës.
Ministri i brendshëm, Christophe Castaner, pritet të shkojë në zonat e prekura nga vërshimet dhe të takohet me banorët lokalë dhe punëtorët e situatave emergjente, shkruan “Reuters”, transmeton Express.