Vërshime në Kosovë, Skënderaj në gjendje të jashtëzakonshme, preken edhe komuna tjera

16:32 | 19 January 2023

Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, në disa komuna të Kosovës ka pasur vërshime. Përveç në Skënderaj që është shpallur gjendje të jashtëzakonshme, në komuna tjera, situata është më e qetë, por që mund edhe të ketë rrezik nëse vazhdojnë reshjet.

Komuna e Skënderajt ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka thënë se gjendja në disa fshatra është jo e mirë.

“Si rrjedhojë e reshjeve të panderprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë. Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mengjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrollë, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut. Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara”, ka shkruar Nura në Facebook.

Ndërsa, situatë më e qetë është në Vushtrri. I pari i kësaj komune, Ferit Idrizi, tha se janë duke e përcjell gjendjen.

“Jemi duke e përcjellur gjendjen. Janë vërshuar dis pjesë të rrugëve, mirëpo situata është ende nën kontroll. Lumi ‘Sitnica’ është në nivel normal, por nëse situata përkeqësohet, duhet të shpallim gjendje të jashtëzakonshme”, tha Idrizi për Express.

Rrezik prej vërshimeve parashihet në Mitrovicë, thotë nënkryetari Arian Tahiri.

Ai tha se lumi “Ibër” dhe “Lushta” kanë dalë nga shtrati, mirëpo shton se po tentojnë ta menaxhojnë situatën.

“Situata është mjaftë komplekse. Lumi ‘Ibër’ dhe ‘Lushta’ kanë dalë nga shtrati dhe kanë krijuar kompleksitet të madh, kanë përfshi pjesë të mëdha të qytetit, mirëpo po tentojmë ta menaxhojmë në nivel maksimal. Mund të them që është situatë mjaftë e rrezikshme”, tha Tahiri për Express.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës, tha se për shkak të vërshimeve ka rrëshqitje.

“Ka disa rrëshqitje të vogla buzë rrugëve. Një urë është dëmtuar, por tash ka rënë intensiteti i reshjeve. Por sigurisht që ka vërshime në fusha”,tha Muhaxheri.

Ndërkaq, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përmes një postimi në Facebook tha se vërshime ka në disa zona të kësaj komune. Ai bëri të ditur se zonat më të prekura janë Pakashtica, Kërpimeh, Letanc, Peran dhe Obrançë.

“Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë bërë që disa zona në Komunën e Podujevës të përballen me vërshime. Si institucione lokale që nga mëngjesi jemi në teren duke intervenuar në zonat më të prekuara, ku momentalisht kemi 4 ekipe të të cilat janë duke intervenuar në këto zona. Zonat më të prekuara janë; Pakashticë, Kërpimeh, Letanc, Peran dhe Obrançë, po ashtu edhe disa rrugë janë përshkuar nga uji duke vështirësuar qarkullimin në komunikacion. Situata është e menaxhueshme, por me tendencë të përkeqësimit për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut. Apeloj tek të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me ekipet emergjente institucionale, në mënyrë që përmes koordinimit të përbashkët të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë”, ka shkruar Bulliqi.

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, në një prononcim për Express tha se gjendja në këtë komunë është stabile.

“Gjendja në Istog, për momentin, është stabile. Nuk ka dëme të mëdha e as rrezik ndaj qytetarëve”, tha Ferati.

Express ka kontaktuar edhe komuna tjera, por deri në publikimin e artikullit, nuk kanë kthyer përgjigje.

Vërshime ka paralajmëruar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

“Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, sidomos në pjesën perendimore, veroperendimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenjë kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta, ndërsa nëpër disa segmente të lumenjëve kryesorë janë shkaktuar edhe përmytje të lokalizuara lumore, të cilët mund të kenë shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore. Situata e vështërsuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjëve, pritet të ngriten dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”, thuhet në njoftim.

Komento: