Vërshime të mëdha, humb jetën një person

14:16 | 09 July 2019

Spanja po përballet me vërshime të mëdha.

Një trup i pajetë i një burri është gjetur në Spanjë pasi një lumë doli nga shtrati i vet. Këtë e shkaktuan reshjet e mëdha të shiut në rajonin verior spanjoll të Navarras gjatë natës së të hënës. Lajmin e bënë të ditur zyrtarët e qeverisë lokale.

Në disa pamje të publikuara shihet uji i rrëmbyeshëm i lumit “Cidacos”, niveli i të cilit për një kohë të shkurtër shkoi nga 11 centimetra në mbi katër metra, duke dalë në rrugë dhe duke marrë me vete gjithçka që ndodhej në to.

Stuhia që e goditi rajonin e Navarras i zuri në befasi autoritetet lokale pasi në këtë vend reshjet e shiut ishin katër herë më të mëdha se parashikimi zyrtar. Për më tepër, stuhia ndodhi vetëm një javë pas temperaturave shumë të larta që i shkaktuan dy vdekje në Spanjë.

Autoritetet lokale të Navarras i këshilluan njerëzit që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre gjatë të martës pasi reshjet e mëdha të shiut po vazhdojnë dhe uji i ka marrë edhe disa pjesë të autostradave, shkruan “Reuters”.

Komento: