Krasniqi pas vërshimeve: Qeveria duhet të marrë përgjegjësi menjëherë.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndajë fonde financiare emergjente për komunat e prekura nga vërshimet.
“Gjendja e vendbanimeve të prekura nga vërshimet në Skënderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë. Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë”.
Mes tjerash, Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të përmbush nevojat e banorëve të prekur nga vërshimet dhe të marrë përgjegjësi menjëherë.
“Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta”.
“Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë” ka shkruar Krasniqi në Facebook.