Katër të vdekur e një i zhdukur nga vërshimet në Turqi.
Vërshimet e kësaj jave në pjesën veriore të Turqisë kanë shkaktuar së paku katër viktima dhe së paku një person është zhdukur, thanë të enjten zyrtarët turq.
Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e dendura e goditën të mërkurën bregdetin e Detit të Zi, duke lënë katër të vdekur në provincën Kastamonu dhe një të zhdukur në provincën Bartin, tha Autoriteti për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave.
Zyrtarët thanë se ekipet e kërkim-shpëtimit janë dërguar në zonat e prekura nga vërshimet dhe se po vazhdon operacioni i kërkimit për personin e zhdukur, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, Turqia ditë më parë u godit nga zjarre vdekjeprurëse në jug të vendit, të cilat, përpos pasojave në njerëz, shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale në pyje, shtëpi e bujqësi.