Vesel Demaku, përforcimi i radhës te Kosova

14:17 | 28 October 2024

Mesfushori defensiv i skuadrës së Altachut nga Austria, Vesel Demaku, ka vendosur që të luajë për Kombëtaren e Kosovës, ka njoftuar të hënën FFK-ja.

Ish-reprezentuesi i Kombëtares U21 të Austrisë, të hënën ka qëndruar në selinë e FFK-së, ku është takuar edhe me kreun e këtij institucioni, Agim Ademi

Me të marrë konfirmimin nga shteti austriak për dyshtetësi, Demaku pa hezitim dhe me zemër, ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën dhe të japë kontributin e tij në fanellën e “dardanëve”.

Kreu i FFK-së, Ademi ka vlerësuar lart vendimin e mesfushorit 24-vjeçar, të cilin e ka përgëzuar për përkushtimin e tij dhe ka shtuar se lojtarë me potencial si Demaku janë gjithmonë të mirëseardhur te Kosova.

Demaku pritet të ftohet nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për grumbullimin e muajit të ardhshëm, ku “dardanët” do të përballen me Rumaninë dhe Lituaninë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Demaku ka luajtur për të gjitha gjeneratat e reja tek Austria, ndërsa me ekipin U21 ka regjistruar 15 paraqitje.

Këtë sezon, Demaku ka luajtur 10 ndeshje në Bundesligën e Austrisë me fanellën e Altachut, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2027.

Komento: