Taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës ka ndikuar në thëllimin e përçarjes në mes të partnerëve në koalicionin qeverisës.
Këmbëngulësia e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe ka shtyrë partnerin më të madh të koalicionit, PDK-në, që të paralajmërojë rrëzimin e Qeverisë.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe lider i PDK-së, tha para pak ditësh se të gjitha qeveritë mund të ecin, por asnjë qeveri nuk mund t’i rrezikojë raportet me SHBA-në, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Pavarësisht kësaj, shefi i ekzekutivit përsëriti edhe gjatë ditës së djeshme se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se synimi i Veselit është ta largojë Haradinajn nga pozita e kryeministrit pa shkuar fare në zgjedhje, kjo vetë kreu i PDK-së ua ka “drojën” zgjedhjeve në këtë kohë.
Ndaj çelësi për ta gjetur një zgjidhje duke i shmangur zgjedhjet sipas tyre po vazhdon të kërkohet brenda LDK-së.
Por zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se zgjedhjet përbëjnë të vetmen zgjidhje për të dalë nga situata aktuale.