Veseli flet nga Veriu, thotë se është vetëm një Mitrovicë

18:43 | 13 May 2019

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka folur sot nga Veriu i Kosovës.

Veseli i shoqëruar nga Gonxhe Çaushi, kandidate për kryetare të Mitrovicës së Veriut dhe kandidatët e PDK-së për kryetarë të Leposaviqit, Zveçanit e Leposaviçit, ka nisur sot fushatën zgjedhore duke bashkëbiseduar me qytetarë në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës.

Lideri i PDK-së tha se ka vetëm një Mitrovicë dhe ashtu do të jetë përgjithmonë anipse përkohësisht ka qenë në dy njësi administrative.

“Jemi të gjithë për Mitrovicën. Mitrovica është e Kosovës dhe Mitrovica është një. Ajo për çfarë duhet të gjithë të angazhohemi është me arritë një prosperitet më të mirë, komunikim më të mirë, për faktin se sa më mirë të jetojnë qytetarët në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe gjithandej, aq më mirë do t’i ketë punët edhe shteti ynë i pavarur dhe sovran. Shqiptarët duhet me qenë sa më të bashkuar dhe sa më unikë, me përdorë edhe këtë mundësi të cilën e ka krijuar fushata zgjedhore dhe jo me u nda mes vete”, tha Veseli.

Ai tregoi edhe pse kanë vendosur të garojnë për të synuar komunat në veri të Kosovës.

Sipas tij, me këtë kanë dashur të përçojnë një mesazh për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kemi vendosur kandidatët tonë për arsye se kemi dashur të përçojmë një mesazh I cili është I drejtpërdrejtë. Kosova për ne është njëjtë çdo kund dhe PDK-ja konkurron çdo kund me përgjegjësitë e veta që ka para qytetarëve. Kur them para qytetarëve nuk po flas vetëm për shqiptarët por të gjithë pa dallim”, ka thënë Veseli.

Veseli tha se do të vazhdojë iniciativa e nisur më herët e që kishte mbetur në gjysmë, për rindërtimin e gjitha shtëpive të djegura gjatë luftës në veri, për tu mundësuarbqytetarëve kthimin në pronat e tyre.

Ndërsa, përfaqësuesi i lagjes ‘Kroi i Vitakut, Nazmi Ismajli, duke falënderuar kryetarin Veseli për mbështetjen e vazhdueshme, tha se PDK-ja është i vetmi subjekt që ka kontribuuar në rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve në atë pjesë.

Zgjedhjet në katër komunat e veriut mbahen më 19 maj ndërsa PDK kandidon me kandidatët e saj, Gonxhe Çaushi Mitrovicë e Veriut, Shaqir Hetemi Leposaviq, Hysen Mehmeti Zubin Potok dhe Ilir Peci Zveçan.

Komento: