Veseli fton investitorët nga Japonia të investojnë në Kosovë

11:51 | 14 March 2019

Në vazhdim të vizitës së tij në Tokio, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u prit në takim nga Hiroshigo Seko, ministër për Ekonomi, Tregti dhe Industri në Qeverinë japoneze.

Në fjalën e tij, kryetari Veseli bëri një ekspoze të mundësive që ofron Kosova në fushën e investimeve të jashtme, duke potencuar faktin e lehtësirave fiskale për bizneset e reja si dhe fuqinë e re punëtore.

Ai kërkoi nga ministri Seko që bizneset japoneze të vijnë në Kosovë për të hulumtuar mundësitë investive.

Nga ana e tij, ministri japonez i Ekonomisë, tha se Japonia është e interesuar që bizneset e saj, sidomos markat e njohura të industrisë japoneze, të jenë sa më shumë prezente në Evropë dhe Kosova përbën një fushë të interesimit.

Ai tha se tash që do të fillojë punën ambasada japoneze në Prishtinë, mundësitë e komunikimit dhe bashkëpunimit do të jenë shumë herë më të mëdha.

Kryetari Veseli përmendi sektorin e teknologjisë së informacionit, si një sektor në të cilin ekziston një potencial i madh bashkëpunimi midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit ranë darkord që në të ardhmen e afërt të ndodhin vizita reciproke të delegacioneve nga fusha e bizneseve, në mënyrë që bashkëpunimi të fillojë me hapa konkretë.

Komento: