Kadri Veseli ju ka bërë thirrje prokurorëve qe t’i hetojnë të korruptuarit e profilit të lartë.
Kryekuvendari Kadri Veseli ka ftuar prokurorët dhe gjyqtarët që të hetojnë korrupsionin në Kosovë. Ai shprehu besimin se në vendin tonë ka gjyqtarë të cilët i ka quajtur heronj që do të ngritin aktakuzë edhe ndaj atyre politikanëve të profilit të lartë.
Veseli tha se në Kosovë ka politikanë të korruptuar të cilët duhet të dalin para drejtësisë. Ai iu kujtoi prokurorëve dhe gjyqtarëve përgjegjësinë që kanë duke shtuar se e kanë për obligim të merren me rastet e korrupsionit.
“Vet fakti se gjyqësori duhet të jetë i paanshëm, unë besoj shumë se në sistemin tonë gjyqësor me reformat të cilat kanë ndodhur në pjesën e fundit dhe me kapacitetet të cilat i ka aktuale, ka mundësi, guxim dhe të ashtuquajtur heronj të cilët do të dalin në Kosovë dhe do të ngritin edhe aktakuza për njerëz të cilit janë të profilit të lartë edhe politikë, që duhet, që ka të korruptuar”, deklaroi Veseli.
Kryekuvendari tha se korrupsionin nuk mund ta ndalin ndërkombëtarët, por atë duhet ta bëjmë vet.
Sipas tij, korrupsioni po e dëmton perspektivën e shtetit të Kosovës.Ai tha se nganjëherë duhet sanksionuar edhe gjyqtarët e prokurorët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre.
“Askush s’ka me na ndalë korrupsionin, pavarësisht këta ndërkombëtarët që vijnë e shkojnë edhe flasin. Na duhet mi ndalë vet. Na kemi mundësi mi ndalë korrupsionin. Secili, pa mëshirë, askush s’ka me përfitu nëse tolerohet. As nga politika, as nga gjyqtarët. Për me ndalë korrupsionin janë hapat konkretë me e zvogëlu këtë hapësirën që njerëzit të jenë të korruptuar, që nga politikani që kemi boll të korruptuar edhe flasin më së shumti. Nganjëherë duhet sanksionuar edhe gjyqtarët e prokurorët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre, për vet faktin se gjyqësori duhet të jetë i paanshëm”, tha Veseli.
Kryetari i Kuvendit tha se njerëzit po largohen nga Kosova, jo vetëm për shkak të gjendjes socio-ekonomike të vendit, por sepse iu ka humbur besimi tek institucionet duke shtuar se është detyrë e secilit që të rikthejë besimin e qytetarëve.