Veseli kërkon unitet për dialogun me Serbinë, ja si i përgjigjen LDK-ja dhe VV-ja

19:59 | 04 January 2019

Kadri Veseli ka kërkuar unitet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e për këtë i është kundërpërgjigjur opozita e vendit.

Veseli i ka kritikuar partitë opozitare, LDK’në dhe Vetëvendosjen, pasi që sipas tij, vetëpërjashtimi i këtyre të dyjave nga ky proces, i jep mundësi Serbisë që të pastrohet nga gabimet e së kaluarës.

Shefi i deputetëve të LDK’së, i ka thënë Kohavisionit se unifikimi arrihet me komunikim korrekt dhe me pranim te përgjegjësive, duke theksuar se opozita është më e fuqishme numerikisht dhe profesionalisht sesa pushteti.

“ Koalicioni PAN duhet fillimisht të pranojë përgjegjësinë për dështimet që i ka sjellë Kosovës gjatë këtij viti, si dhe të pranojnë se nuk kanë fuqi të qeverisin në mënyrë demokratike me Kosovën. Kjo do t’i hapte rrugë tejkalimit të krizës institucionale, për t’i dhënë vendit institucione legjitime. Opozita e sotme është më e fuqishme se koalicioni PAN, si me numra në Kuvend, ashtu edhe me mbështetje qytetare”, ka thënë Hoti.

Hipokrite i ka cilësuar thirrjet e Veselit për unitet, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, sipas së cilës, ai asnjëherë nuk ka përçuar unitet, madje shumë herë ka keqpërdorur karrigen e kryeparlamentarit për t’i pamundësuar opozitës adresimin e çështjeve, sidomos në raport me negociatat, siç ndodhi edhe në seancën e fundit.

“I njëjti nuk mund të thërrasë për bashkim për sa kohë është një figurë përçarëse. Siç e keni parë, herë shpif ulët për LVV-në, e herë thërret për bashkim, këto nuk shkojnë bashkë. Për më tepër, bashkim për çfarë? Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk bëhet pjesë e pazareve që kanë nisur nga Hashim Thaçi dhe që po tentohet të legjitimohen përmes një ekipi pa asnjë vlerë dhe të papranueshëm për ne.

Qëndrimet tona në raport me dialogun janë të qarta dhe koha ka dëshmuar se janë të drejta. Çfarëdo veprimi e orvatje tjetër është shërbim për Thaçin dhe Serbinë prandaj, do të angazhohemi fuqishëm për t’i ndalur koncesionet e radhës me Serbinë”, ka thënë Haxhiu.

Veseli, tutje ka akuzuar qeverisjen e Isa Mustafës për mospunë, duke theksuar se për një vit, Koalicioni PAN bëri punë sa 3 vjet të qeverisjes PDK-LDK.

Por, edhe për këtë i është kundërpërgjigjur shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se qeverisja Mustafa, me gjithë dhunën në Kuvend dhe në rrugë të shkaktuar nga kryeministri aktual Haradinaj, ata arritën të nënshkruanin MSA-në, bënë reforma të thella fiskale, stabilizuan dhe rritën buxhetin, qeverisën me duar të pastra dhe bënë trefishim te rritjes ekonomike, krahasuar me qeverinë paraprake.

Hoti ia ka numëruar dështimet e qeverisë Haradinaj.

“Sigurisht se ka pasur edhe ngecje ne disa fusha, por mandati i saj u ndërpre në gjysmë nga shkatërruesit e shtetit. Qeveria aktuale njihet për dështimin për liberalizim te vizave dhe anëtarësim ne Interpol, njihet për përpjekjet e dështuara për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën speciale, që rezultuan me kërcënime për izolim te Kosovës nga partnerët tanë, për deportimin e shtetasve turq në kundërshtim me ligjin, për 80 zëvendësministra, për rritje të pagave për vete, për gjysmën e kabinetit nën aktakuze, për përgjysmim të investimeve të jashtme dhe përkeqësim te ambientit për biznes, dhe tash, së fundmi, për përpjekje për të mbushur Kosovën me kazino”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, Veseli nuk e ka përjashtuar mundësinë për bashkëpunim edhe me PSD’në.

Komento: