Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vazhduar t’i kritikojë dy partitë opozitare për mosgatishmerin e tyre për t’iu bashkuar grupit të unitetit për dialogun me Serbinë.
Ai ka deklaruar para qindra përfaqësuesve të PDK-së në pritjen e fundvitit se partia që ai drejton fiton gjithmonë besimin e qytetarëve, pasi që nuk frikësohet nga përgjegjësitë dhe sfidat.
“Si parti e nisëm mbarë këtë vit me zgjedhjet në Rininë Demokratike të Kosovës. Po e përfundojmë në mënyrë shembullore me zgjedhjet e përgjithshme të partisë. Si Shtet, e nisëm me arritjen e marrëveshjes me Malin e Zi. Po e përfundojmë me Ushtrinë e Kosovës. Kjo është Partia Demokratike e Kosovës, kur e nisim një punë e qojmë deri në fund, me nder, dinjitet, me sukses dhe gjithmonë në shërbim të vendit”, ka thënë Veseli.
Ai tha se në procesin e brendshëm zgjedhor, PDK ka mbajtur deri tani më shumë se 1000 takime koordniuese në 1200 nëndegët e saj anekënd Kosovës.
“Ne jemi Partia Demokratike e Kosovës. Mund të kemi gabime, por kur është në pyetje shteti, kombi, atdheu, ne nuk gabojmë kurrë. Sepse për ne Kosova dhe shteti janë mbi çdo gjë tjetër. Ne nuk i ikim përgjegjësisë. As nuk kemi frikë te ndeshemi me sfidat. Ne kemi hyrë në luftë me Serbinë dhe e kemi mundur”, tha Veseli.