Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim në Prishtinë sot ka shpalosur vizionin e tij si Kandidat për Kryeministër.
Veseli ka thënë se askush më shumë se PDK-ja nuk e ka të qartë drejtimin që i duhet Kosovës. Ai ka përmendur kauzën e tij për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, për një ekonomi të fortë dhe aleancë me shtetet mike të Kosovës.
Lideri i PDK-së ka thënë se më 6 tetor do të fitojë për të mos i lënë që të tjerët ta dështojnë Kosovën.
Ky është fjalimi i plotë i Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:
Çfarë mbrëmje emocionuese.
Çfarë shpirti fitimtar.
Dje na fitoi Kombëtarja e Kosovës në Futboll.
Më 6 tetor, bëhuni gati për fitoren e madhe të Kombëtares tonë në politikë.
Fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.
Për secilin prej nesh është emocionues ky rrugëtim që po nisim.
Nuk është vetëm një ngjarje tjetër politike.
Nuk është vetëm një moment reflektimi për rrugën që kemi kaluar bashkë deri këtu.
Është zotim për rrugën që do ta bëjmë, për rrugën që do ta përcaktojë drejtimin e shtetit tonë.
Kemi arritur deri këtu me shumë sakrifica.
Kemi arritur suksese.
Kemi pasur edhe gabime.
Por, vetëm ata që e njohin rrugëtimin e Kosovës, i pranojnë vlerat, mundin, sakrificat, sukseset dhe gabimet, e dinë saktë se cili është drejtimi më i mirë që duhet ta marrë vendi ynë.
Të gjithë duhet ta dimë se 6 tetori nuk është thjesht një ditë votimi.
Është referendum për të ardhmen e Kosovës.
Nëse duam të ecim fuqishëm drejt rrugëtimit euro-atlantik, drejt ballafaqimit me sfidat reale të korrupsionit, nepotizmit, abuzimit, dështimit dhe rrezikimit të shtetit.
Apo, të futemi në dilema, konflikte dhe ikje nga përgjegjësitë?
Para nesh qëndron një moment kthese historike.
Dhe, në të tilla momente, ajo që del në pah gjithmonë është Partia Demokratike e Kosovës.
Më 6 tetor, ne do të fitojmë për të mos i lënë të tjerët ta dështojnë Kosovën, ta izolojnë Kosovën, ta lënë Kosovën në stagnim e paqartësi.
Më 6 tetor, ne do të fitojmë, me besimin qytetar, për t’u treguar të gjithëve se ky vend ka shpresë, se Kosova është besimi dhe jeta jonë, se burrat e gratë e Kosovës janë të zotë për ta zhvilluar vendin e tyre.
Më 6 tetor do të fitojmë, për t’u treguar të gjithëve se ata që promovojnë më shumë rininë dhe u japin atyre një shans të vërtetë, do ta udhëheqin vendin.
Të nderuar qytetarë,
Zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë qëllimi. Ato janë mënyra e realizimit të vizionit dhe ëndrrës sonë të përbashkët për këtë vend.
A mund ta ndërtojmë një Kosovë të lirë, të barabartë, të sigurt, të drejtë, të begatë, për secilin qytetar?
A mund ta ndërtojmë një Kosovë pa korrupsion, pa nepotizëm, e me shanse të barabarta?
A mund ta ndërtojmë një Kosovë ku të rinjtë nuk na ikin, por qëndrojnë këtu, krijojnë familjen këtu, rrisin fëmijët këtu, e punojnë këtu?
A mund ta ndërtojmë një Kosovë ku nderohet lavdia e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe nuk përbuzet dhe as abuzohet me vlerat e saj?
A mund ta ndërtojmë një Kosovë ku ka zhvillim ekonomik, ku ka investime të jashtme e të brendshme, ku ka vende pune për të rinjtë, për gratë dhe burrat, për secilin që mbaron një shkollë ose ka një profesion?
A mund ta ndërtojmë një Kosovë që me zhvillimin e vet ekonomik, sundim të ligjit, imponon respektin e të huajve ndaj nesh?
A mund ta ndërtojmë një Kosovë që mbron territorin, sovranitetin, që promovon paqen, bashkëjetesën, dhe fuqizon aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian?
Ne e dërgojmë mesazhin e qartë nga këtu:
Se PO – NE, Partia Demokratike e Kosovës, do ta bëjmë këtë.
Ne dimë ta bëjmë këtë.
Ne kemi guxim dhe vizion ta bëjmë këtë.
Prandaj, zgjedhjet e ardhshme kanë të bëjnë me një pyetje të madhe:
Kush mund ta mbrojë dhe zhvillojë Kosovën?
Kush mund ta luftojë korrupsionin dhe t’i mbajë të rinjtë në Kosovë?
Kush mund ta ndryshoje ekonominë?
Kush mund ta ndalë agresionin e Serbisë kundër shtetit tonë?
Kush i ruan miqtë dhe partnerët, kush e forcon lidhjen e Kosovës me ta?
Ne do t’i bëjmë këto.
Ne dimë t’i bëjmë këto.
Ne jemi partia e lirisë, Partia Demokratike e Kosovës.
Te nderuar qytetarë,
Në dy dekada liri, dhe një dekadë pavarësi, Partia Demokratike ka udhëhequr proceset vendimtare për Kosovën.
Të tjerët, ose janë ankuar, ose vetëm na kanë shikuar dhe janë munduar të na gjykojnë.
Por, kanë bërë pak ose aspak.
Ka pasur edhe të tillë që janë përpjekur ta mohojnë dhe shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar tash e 20 vjet liri.
Edhe sot, ata nuk janë të zotët që t’u dalin ballë sfidave të shtetit.
Ose ju mungon guximi, ose zgjedhin rrugën e gabuar!
Kosovën nuk mund ta udhëheqë dikush që hyn në borxh para liderit dhe partisë, më shumë sesa para qytetarëve dhe Kosovës.
Jo ata që s’kanë guxim të marrin vendime.
Kryeministri i Kosovës duhet t’i përgjigjet vetëm popullit të Kosovës dhe nevojave te qytetarëve.