Veseli: Me të rinjtë kompetentë do ta luftoj korrupsionin, sikurse në shëndetësi

14:37 | 20 August 2019

Partia Demokratike e Kosovës nuk konfirmon nëse është në negociata me ndonjë parti për koalicion parazgjedhor, por as nëse do të garojë tërësisht e vetme.

Kreu i kësaj partie, Kadri Veseli, u shpreh se synon edhe një mandat qeverisës, por kësaj here do të jetë ai në krye të qeverisë.

Veseli është i bindur se partia që ai udhëheq do t’i fitojë sërish zgjedhjet. Por, për dallim nga herët e kaluara, postin e kryeministrit thotë se do ta mbajë për vete.

Ai premton rikthimin, siç thotë të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, ndërsa në tryezën e bisedimeve thotë nuk do të jetë asnjëherë çështja e shkëmbimit të territoreve.

“Shpejt duhet të shkëputemi nga kjo vetëkurthë që jemi futur. Shkojmë me Serbinë flasim, kurrë sovraniteti i shtetit të Kosovës nuk ka me u cenu. Mitrovicën nuk guxon askush ta përmend. Nuk duhet të konfrontohemi me askënd”, thotë ai.

Ai thotë se në mandatin e ardhshëm do ta luftojë korrupsionin dhe nepotizmin, ndërsa shprehet i rezervuar të tregoj për koalicione parazgjedhore, duke thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti.
“Jemi duke shkuar rregullt. Duhet të respektojmë vullnetin e qytetarëve, për veprimet shumë shpejt e merrni vesh”, tha Veseli.

Më 22 gusht mbahet seancë për shpërbërjen e Parlamentit të Kosovës, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Komento: