Veseli për taksën: U bë bajat, por s’i nënshtrohemi Vuçiqit

22:23 | 02 May 2019

Veseli flet për taksën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur për taksën 100 % që Kosova e ka vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka thënë se ky vendim ka qenë dinjitoz, por që është bërë ‘bajat’.

“U bë kjo taksa pak çështje bajat si Demarkacioni në të kaluarën. Ky ka qenë vendimi më dinjitoz i shtetit të Kosovës në një rrethanë të domosdoshme ku Serbia nuk na ka respektuar, jo për dy ditë, por për dy dekada”.

“Taksa ka qenë instrument i shtetit në funksion, por fatkeqësisht shndërrimi në konsum të brendshëm po na dëmton”.

Veseli në Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se nuk i bie pishman që e ka propozuar taksën 100 %.

“Unë e kam propozuar taksën 100 % dhe nuk i heq asnjë pikë. Kam propozuar më vonë, për shkak të propozimit amerikan dhe kërkesës eksplicite të presidentit Donald Trump që të mos hiqet taksa, por të suspendohet 120 ditë”.

Kryeparlamentari ka insistuar që çfarëdo vendimi që do të merret për këtë çështje nuk duhet të jetë nënshtrim ndaj shtetit dhe presidentit të Serbisë.

“Vendimi duhet të jetë i mençur. Nuk duhet të ketë asnjë vendim që është nënshtrim ndaj [Aleksandar] Vuçiqit dhe Serbisë”.

“Çdo vendimmarrje do të jetë institucionalisht e mençur dhe e mirë kalkuluar”.

“Nëse nesër hiqet taksa, fiton vetëm Serbia. Do të veprojmë mençurisht në mënyrë institucionale dhe nuk do të ketë veprime që na bëjnë të skuqemi”.

“Mos të mundohemi të tregohemi inatçor me njëri-tjetrin. Edhe opozita duhet të marrë përgjegjësitë dhe jo t’i fërkojë duart kur dëmtohet Kosova nëse po fiton diçka”.

Komento: