Kadri Veseli sot ka vizituar degën e PDK-së në Vushtrri.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli takoi strukturat e reja të degës së PDK-së në këtë komunë në prani të udhëheqësve qendror e lokal partiak dhe me këtë rast, diskutoi për vizionin e Dekadës së Re si vizion i së ardhmes së PDK-së dhe Kosovës në dekadën e tretë të lirisë dhe të dytën pas Pavarësisë.
“Nuk ka dorë që mund të na ndalë në rrugën e reformave rrënjësore për të krijuar mundësi për njerëz me energji të reaj, me inovatorë e ndërmarrës që do ta zhvillojnë më fuqishëm ekonominë vendit tonë. Ne do të merremi me projektet e së ardhmes, me Dekadën e Re, për Kosovën e integruar drejt Bashkimit Evropian, në NATO dhe partneritet me SHBA-të. Ky është vizioni dhe qëllimi ynë për të ardhmen”, tha Veseli.
“Përkushtimi jonë në Dekadën e Re, është një trashëgimi e UÇK-së dhe e gjeneratave të mëhershme që ka kulmar me luftën e UÇK-së. E ardhmja është përgjegjësi e neve që jemi gjallë, neve që e duam këtë vend dhe që dëshirojmë që fëmijët të rriten në këtë vend dhe të kenë perspektivë, të jetojnë më mirë. Kjo është përgjegjësi e Dekadës së Re, është përgjegjësi e PDK-së”, deklaroi Veseli.
Duke folur për shumë projekte të realizuara nga qeverija e PDK-së në Vushtrri, kryetari Veseli tha se shumë prej tyre ende po vazhdojnë sot të realizohen.
Ndërsa duke folur para strukturave të reja partiake në Vushtrri, Veseli tha se në mbaë vendin kanë marrë pjesë më shumë se 50 aktivistë në zgjedhjet e PDK-së, të cilat kanë rezultuar me një reformë substanciale ku më shumë se gjysma e kryetarëve të nëndegëve dhe degëve janë zgjedhur të rinj.
“Në këto zgjedhje të brendshme, PDK ka filluar me një vizion të ri dhe, përveç proces zgjedhor e reformues, është vizion i ri, është energji e re për Kosovën, për proceset euroatlantike, në rrugën e së cilës Kosova do të dalë suksesshëm dhe faqebardhë”, tha Veseli.
Ndërsa rreth iniciativës për Tribunalin për dënimin e krimeve serbe në Kosovë, theksoi se iniciativa ka për qëllim të sjell drejtësi për mijëra viktima të gjenocidit serb.
“Nuk do të lejojmë që historia të përsëritet. Ne do të përgatitemi që të jemi më të fortë dhe më të zhvilluar. Nuk duam hakmarrje por drejtësi, si komb dhe si shtet. Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin ndaj shqiptarëve, në mënyrë që të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët dhe t’i hapim perspektivë Ballkanit Perëndimor, e bashkërisht të ecim drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, deklaroi Veseli.
Lideri i PDK-së foli edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa bëri thirrje për luftim më të madh të këtyre dukurive negative me më shumë guxim në mënyrë që mos të mbrohet askush, pavarësisht përkatësisë partiake.
“Unë besoj se Kosova do të rrugëtojë suksesshëm, do të bëjë më shumë në proceset zhvillimore drejt Bashkimit Evropian. Njerëzit e presin këtë nga ne. Kjo do të arrihet përmes një koncepti dhe vizioni që jemi duke e zhvilluar në Dekadën e Re. Asetin themelor, kapitalin human, ta përdorim në mënyrë adekuate, për inovacion ndërmarrësi dhe resurse natyrore”, theksoi Veseli.
Kryetari i degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi, diskutoi për procesin e suksesshëm zgjedhor në Vushtrri, strukturë prej 59 nëndegëve, e ku në qytet, prej 5 nëndegëve janë bërë 11 nëndegë dhe beson që strukturat që janë zgjedhur, në qytet dhe në të gjitha fshatrat, do të shihen me angazhimin e mëtutjeshëm.