Veseli po nominohet për çdo ditë kryeministër, por ҫfarë thotë AAK-ja për këtë

13:58 | 12 May 2019

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ҫdo ditë po nominohet për Kryeministër nga partia e tij.

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj nuk sheh kurrfarë rreziku për Ramush Haradinajn pse Kadri Veseli po nominohet për Kryeministë.

Deklaratat e nënkryetarëve të PDK-së për Veselin kryeministër, Nitaj i sheh krejtësisht të natyrshme.

“Është krejtësisht e natyrshme që një parti politike, në këtë rast PDK, ta nominojë kryetarin e partisë për kryeministër të ardhshëm. Po të ishte ndryshe, një parti politike as që do të ishte parti”, tha Nitaj.

Sot, dy profile të larta brenda PDK-së, të dy nënkryetarë, Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuçi, sot paralajmëruan Kadri Veselin kryeministër të Kosovës.

Në një moment Hoxhaj tha se besimi i qytetarëve në shtet bëhet veç me Veselin kryeministër.

A është ky fillimi i fundit të Qeverisë Haradinaj?

Muharrem Nitaj nuk sheh asgjë dramatike nga deklaratat e zyrtarëve të PDK’së. I konsideron si fushatë për zgjedhjet partiake.

“Çdo vlerësim tjetër përtej kësaj, ne këtë e shohim si pjesë të fushatës për zgjedhjet partiake në PDK. Është e drejta e tyre të vleresojnë se me cilën “kauze” përfitojnë më shumë”, përfundoi ai.

Sidoqoftë, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, e ka paralajmëruar ardhjen e Kadri Veselit në krye të Qeverisë. Ka thënë se fitorja e plotë e PDK’së dhe Veselit Kryeministër bëhet kur PDK do të fitojë edhe Prishtinën.

“Kryeministri i ardhshëm Veseli do të jetë edhe më i fort kur ta ketë qeverisjen edhe të Prishtinës”, ka thënë Kuçi, në Kuvendin Zgjedhor të PDK’së në Prishtinë.

Tjetri Zëvendës i Veselit në Parti, Enver Hoxhaj ka thënë se vetëm Shefi i PDK’së si Kryeministër e kthen besimin në shtet dhe te ndërkombëtarët pasi aktualisht Kosova është në pozitë të keqe.

“Shumë më pak ndërkombëtarë i besojnë Kosovën. Kjo gjendje rikthehet kur Kadri Veseli bëhet Kryeministër. Kjo kthehet kur Uran Ismailin e bëjmë Kryetar të Prishtinës”, ka thënë Hoxhaj, në Kuvendin Zgjedhor të PDK’së në Prishtinë.

Raportet ndërmjet PDK’së dhe AAK’së janë ftohur prej kur është hapur tema e kufijve.

Madje, Ramush Haradinaj, e ka pranuar se ka muaj që nuk është takuar me Kadri Veselin për të folur për punët në Qeveri përveç se ka cakrraur gotat në ndonjë organizim për dëshmorët ose nga ambasadat e huaja në Kosovë,

Prej se ka ardhur në pushtet, Ramush Haradinaj ka arritur t’i largojë nga disa pozita të rëndësishme zyrtarët e PDK’së si në ndërmarrje publike ashtu edhe nëpër pozita qeveritare e diplomatike. Gara se kush po merr kontrollin po vazhdon edhe nëpër institucione tjera përfshirë edhe Gjykatën e Tenderëve, KRPP’në.

Po ashtu, AAK ka arritur të fusë nën kontroll Agjencinë Kosovare të Pronës përmes ish-zyrtarit, Valon Tolaj.

Ka dërguar disa ambasadorë nëpër vende të ndryshme të cilët më parë ishin zyrtarë të lartë të AAK’së.

Komento: