Veseli premton rritje të buxhetit për ushtrinë

13:10 | 09 August 2019

Veseli është zotuar për rritje të buxhetit për Ushtrinë e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përveç fjalimit të mbajtur në kazermën “Adem Jashari” me rastin e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, ka folur për ushtrinë edhe një herë përmes Facebook.

Ai këtu ka thënë se do të rritet buxheti për ushtrinë në vitet në vijim.

“Ushtria e Republikës së Kosovës është element i domosdoshëm për stabilitet jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë rajonin. Ne nuk e kemi formuar ushtrinë për të shkaktuar kriza, por për të mirëmbajtur paqen duke ruajtur territorin dhe kufijtë e vendit tonë të shenjtë. Kosova tani ka një ushtri profesionale dhe të gatshme për t’u rreshtuar përkrah ushtrive më elitare të NATO-s”, ka shkruar ai.

“Zotohem se do të rrisim buxhetin e ushtrisë e bashkë me të edhe nivelin e sigurisë në mënyrë që të mbajmë larg çdo cenim të mundshëm. Ky veprim është pjesë e projektit tonë të pandalshëm për ndërtimin e një Kosove të zhvilluar, pa korrupsion, pa nepotizëm dhe me më shumë mundësi për rininë tonë. Vetëm një Kosovë me perspektivë të tillë e ka të sigurt rrugën e saj drejt BE-së dhe instancave tjera veri-atlantike”.

Komento: