Veseli reagon pas dorëheqjes së amerikanëve: Nepotizmi po e dëmton Kosovën

19:22 | 16 August 2019

Dorëheqja e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe të Verifikimit të Pronës ka nxitur reagimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli ka thënë nëpërmjet një statusi në Facebook se nepotizmi jo vetëm që po e dëmton Kosovën por edhe marrëdhëniet me aleatët perëndimor.

Reagimi i plotë i tij:

Dorëheqja e miqve tanë amerikanë dhe britanikë nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është një lajm i keq për Kosovën dhe duhet të alarmohemi të gjithë. Liria, pavarësia dhe proceset e shtetndërtimit të Kosovës janë arritur vetëm falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve dhe, po ashtu, vetëm me ndihmën e tyre mund t’i përballim sfidat që kemi përpara.

Nepotizmi jo vetëm që po e dëmton shtetin tonë dhe po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, por edhe po i cenon rëndë edhe marrëdhëniet jetësore me aleatët tanë më të ngushtë. Kjo ngjarje është dëshmi e qartë se lufta ndaj nepotizmit dhe korrupsionit është një domosdoshmëri, prandaj unë e kam nisur këtë luftë me një vendosmëri të madhe dhe do t’i shkoj deri në fund. Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne duhet të luftojmë pakompromis korrupsionin.

Komento: