Kryeparlamentari dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli së bashku me gruan e tij kanë vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Veseli ka falënderuar BIK-un për kontributin e tyre në shtet-ndërtim derisa ka porositur të vazhdojnë rrugën të bashkuar.
“Shteti jon është i përbashkët. Kemi shumë obligime, kemi shumë halle e gajle, por kemi shpresa për të ardhmen në qoftëse arrijmë të bëhemi bashkë. Unë jam shumë i nderuar që jam sot në mesin e juaj, iu urojë të gjithë festën e Bajramit sidomos familjeve të dëshmorëve”, ka thënë ai.
Siç njofton kumtesa, në urimin e tij, Veseli ka porositur për unitet derisa ka shtuar se duhet t’i largojnë dallimet e mendjen e keqe për njëri-tjetrin.
“Uroj festën e Kurban Bajramit për të gjithë qytetarët, që t’i gjejë familjet e tyre edhe më mirë e më të bashkuar, që kombin tonë ta gjejë më afër njëri tjetrit, që t’i largojmë dallimet që i kemi, e më së shumti mendjen e keqe për njëri tjetrin, që ta ndihmojmë njëri-tjetrin e më së shumti t’i kujtojmë ata që kanë qenë të gatshëm ta flijojnë jetën e tyre që ne sot të jemi të lirë”, ka shtuar ai.