Nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur sot nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Kryeparlamentari Veseli dhe nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Wilson, diskutuan për bashkëpunimin midis Kosovës dhe SHBA-ve dhe për zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Kryetari Veseli rikonfirmoi mirënjohjen e thellë të Kosovës e të popullit të saj për gjithë mbështetjen që shteti amerikan ka dhënë dhe po jep për vendin tonë në të gjitha fushat.
Veseli e konsideroi të domosdoshëm vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën edhe në sfidat e tjera që ajo ka para vetes, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë në rrafshin ndërkombëtar.
“Me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan pata një diskutim përmbajtjesor për Kosovën dhe zhvillimet rajonale. U fokusuam tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksova vendosmërinë tonë për t’u përpjekur në arritjen e një marrëveshje ligjore gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO. Për ta bërë këtë gjë, presim që SHBA-të të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur këtë proces. Miqtë nga Këshilli i Atlantikut i falënderova për kontributin e tyre të deritanishëm dhe i kërkova mbështetje në fushën e informimit të publikut dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu, i informova për nismën time në kuadër të drejtësisë tranzicionale duke shpjeguar se zbardhja e së kaluarës dhe vënia në vend e drejtësisë për krimet e kryera nga shteti serb i shërben përfundimit të konfliktit dhe pajtimit ndër-etnik”, ka thënë ndër të tjera kryeparlamentari Veseli.
Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, tha se Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës.
Po ashtu, ai tha se do ta ndihmojnë Kosovën në ofrimin e ekspertizës më të mirë për të asistuar në procesin e dialogut.