Kadri Veseli ua bën këtë premtim të rinjve të larguar nga Kosova.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka takuar sot në ditën ndërkombëtare të rinisë disa të rinj nga Kosova që janë larguar nga vendi e aktualisht janë me pushime në vendlindje.
Lideri i PDK-së ka dëgjuar nga të rinjtë arsyet që i kanë shtyrë të emigrojnë dhe arsyet që do të ndikonin në kthimin e tyre për të jetuar në Kosovë.
Veseli tha se si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, prioritet kryesor do ta ketë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, për të krijuar shanse të barabarta për të gjithë qytetarët në punësim.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Veseli tha se do të krijohet fondi për autostradën e punësimit, që do t’i bindi këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin aftësitë dhe energjitë në Kosovë.
Postimi i plotë:
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Rinisë dhe largimi i të rinjve është një ndër problemet më shqetësuese të Kosovës. Me këtë rast, vendosa të takoj disa të rinj që kanë emigruar kohëve të fundit e që gjenden për pushime në Kosovë. Me ta bisedova për shkaqet që i kanë detyruar të ikin dhe për çfarë duhet bërë që të nxisim kthimin e tyre. Argjendi më tregoi se e kishte lënë shkollën para tre vjetësh dhe ishte larguar në Itali sepse mendonte që pozitat e punës merren me të njohur e jo me meritë. Shqiprimi po ashtu më tregoi se ka ikur para tre muajsh në Gjermani pasi nuk pati mundësi ta mbante hapur biznesin e tij, ndërsa Redoni i diplomuar në marketing, është detyruar të shkoj në Austri. Është më se e qartë që për t’u ofruar atyre mundësi brenda Kosovës, duhet të luftojmë nepotizmin në punësimet publike si dhe korrupsionin që po pengon investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Po ashtu, si kryeministër i ardhshëm do të kem prioritet krijimin e fondit për autostradën e punësimit, që do t’i bindi këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin aftësitë dhe energjitë në Kosovë”, ka shkruar Veseli.