Veseli thotë se korrupsioni dhe nepotizmi cenojnë demokracinë në Kosovë

11:15 | 16 September 2019

Dita e Demokracisë po shënohet edhe në Kosovë.

Në kuadër të Ditës së Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka organizuar sot një varg aktivitetesh për të shënuar këtë ditë, ku qindra fëmijë dhe qytetarë vërshuan institucionin legjislativ për ta parë nga afër.

Ata u pritën nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i cili tha se Kuvendit i Kosovës është institucioni më transparent i Kosovës.

Veseli kërkoi më shumë punë që Kosova të bëhet vend më demokratik, ku sundimi i ligjit dhe shanset e barabarta për të rinjtë të jenë të pacenueshme.

Kryetari i PDK-së foli për planin e tij kundër korrupsionit dhe nepotizmit që sipas tij do të çrrënjos këtë fenomen.

“Kjo është ditë e shenjtë për ne që e njohim mirë vlerën e demokracisë sepse e dimë vlerën se çka është të jetosh pa të. Ne duhet të bëjmë çdo ditë këtë vend më demokratik, ku sundimi i ligjit dhe shanset e të rinjve janë të pacenueshme. Korrupsioni dhe nepotizmi cenojnë demokracinë në Kosovë, prandaj kam propozuar një plan për të çrrënjosur këtë fenomen”, tha ai.

Veseli përmendi dhe fushatën zgjedhore, kërkoi që gjatë fushatës të ketë diskutime demokratike dhe përmbajtësore.

Po ashtu, gjatë këtij aktiviteti u bë prezantimi i ueb-faqes së re të Kuvendit, ku u tha se do të lehtësojë më shumë qasjen në punën e Kuvendit.

Komento: