Veseli thotë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm

10:55 | 09 August 2019

Kadri Veseli thotë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës, se shteti ynë, Kosova, nuk e kërcënon askënd por as nuk do të lejojë askënd të cenojë atë.

Ai tha se integriteti territorial dhe kufijtë janë të shenjtë, të paprekshëm sot dhe përgjithmonë.

Para kadetëve të rinj, Veseli e konsideroi ditën e sotme ditë krenarie për të gjithë, ndërsa të qenit pjesëtarë të ushtrisë më të re në botë, ai e cilësoi privilegj për të cilin do të kenë lakmi gjeneratat që do të vijnë pas.

“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurt në të tashmen dhe të ardhmen e saj”, theksoi Veseli.

Siç bëhet e ditur në kumtesën për media, Veseli shtoi se Kosova po ndërton një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit të Kosovës, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur e sovran i Kosovës dhe vizionin për të marrë vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore.

“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit e profesionalizimit të saj, për t’u bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO”, theksoi Veseli, duke paralajmëruar rritjen e buxhetit për ushtrinë.

Kreu i Kuvendit tha se ka një ëndërr për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar, e të begatshëm për të gjithë qytetarët e saj.

“Ne do t’ia dalim, siç ia kemi dalë gjithmonë. Kosova ka veç një rrugë: rrugën përpara, zhvillim ekonomik, fuqizim të shtetit, integrim në NATO dhe BE. S’ka rrugë tjetër dhe s’do ta lejojmë askënd të na orientojë tjetërkah”, theksoi Veseli.

Komento: